Ministri i Arsimit i Koresë së Jugut, Choi Kyo-jin, ka dhënë dorëheqje pas një skandali të kopjimit në provime, i cili ka shkaktuar tronditje në vend.
Ai mori përgjegjësinë për kaosin e krijuar nga masat e ndërmarra në momentin e fundit për të parandaluar kopjimin me ndihmën e inteligjencës artificiale (AI) gjatë provimit vjetor të pranimit në universitete, të njohur si Suneung, i cili u mbajt të enjten.
Një javë më parë, kandidati që kishte marrë rezultatin më të lartë në provimin kombëtar të kontabilitetit tatimor pranoi se kishte kopjuar duke përdorur një kamerë të vogël, telefon celular dhe mjete të inteligjencës artificiale. Rasti i tij i shtyu autoritetet të ndërmarrin masa urgjente për zbulimin e pajisjeve të fshehta, deri në dërgimin e alarmeve emergjente në të gjithë telefonat celularë të vendit.
Provimi Suneung zgjat deri në nëntë orë dhe konsiderohet vendimtar për të ardhmen profesionale të miliona të rinjve në Korenë e Jugut.
“Si ministër përgjegjës, besoj se nuk mund t’i shmangem kritikave se kemi dështuar të përgatitemi me kohë”, citohet të ketë thënë Choi të dielën nga agjencia e lajmeve Yonhap, transmeton BBC.
“Tani që provimi ka përfunduar, ndiej një përgjegjësi të thellë dhe po jap dorëheqje”, shtoi ai.
Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, i cili vazhdimisht ka kërkuar reformimin e sistemit aktual të provimeve, e pranoi më vonë dorëheqjen e ministrit.
Ministria e Arsimit njoftoi se gjatë provimit të këtij viti, në të cilin morën pjesë rreth 500 mijë studentë, 111 kandidatë u kapën me pajisje inteligjente të paautorizuara.
Dyshimet për kopjim gjatë këtij provimi tejet konkurrues ishin shtuar javët e fundit, pas raportimeve se disa kandidatë po përdornin pajisje të inteligjencës artificiale për të siguruar përgjigjet.
Shqetësimet arritën kulmin fundjavën e kaluar, kur Han Won-seok, kandidati me rezultatin më të lartë në provimin e kontabilitetit tatimor të mbajtur në prill, pranoi se kishte kopjuar.
Ai u përball me dyshime pasi kishte arritur një rezultat jashtëzakonisht të lartë, duke gabuar vetëm një nga 160 pyetjet.
“Përdora një mikro-kamerë për t’i fotografuar pyetjet e testit dhe ia dërgova një sistemi të inteligjencës artificiale. Më pas, i kontrollova përgjigjet në telefonin tim për të kopjuar”, tha 34-vjeçari në një video-mesazh.
Rrëfimi i tij bëri që autoritetet të vendosnin masa të jashtëzakonshme, vetëm pak ditë para provimit Suneung.
Në mesin e tyre ishte edhe aktivizimi i sistemit kombëtar të alarmeve emergjente ditën e provimit.
Të enjten, nga ora 08:00 deri në 15:00 sipas kohës lokale, u dërguan tri alarme në të gjithë vendin. Si pasojë, telefonat celularë lëshuan njëkohësisht tinguj alarmi, edhe kur ishin në modalitetin pa zë. Alarmet u dëgjuan edhe në telefonat e turistëve që përdornin internetin përmes roaming-ut.
Përjashtim bënin vetëm telefonat që ishin të fikur ose në modalitetin e aeroplanit.
Kjo ishte hera e parë që Koreja e Jugut përdorte sistemin kombëtar të alarmit për fatkeqësi me qëllim identifikimin e personave që kopjonin në provime.
Masat nuk u ndalën me kaq. Kandidatëve iu kërkua të mbulonin kopsat e këmishëve dhe xhaketave, për të pamundësuar fshehjen e kamerave, ndërsa autoritetet kontrolluan edhe syzet që mund të përmbanin pajisje të tilla.
Masat e jashtëzakonshme krijuan shqetësim edhe te kandidatët që nuk kishin ndërmend të kopjonin.
Para provimit, një maturant i kishte thënë gazetës “Korea Times” se kishte frikë që syzet e tij me kornizë të trashë mund të ngatërroheshin me syze inteligjente.
Një tjetër kandidat i tha agjencisë Yonhap se, ndonëse zakonisht mbante syze, për provimin Suneung kishte vendosur të përdorte lente kontakti, në mënyrë që të mos ngjallte dyshime.











