Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, është takuar Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, të cilit i ka kërkuar kujdes më të shtuar në lidhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe zhvillimet politike në rajon.

“Pata takim me kryeministrin Edi Rama, takim i shkurtër, por tepër përmbajtësor. Kërkova një kujdes më të shtuar të Shqipërisë sa i takon Marrëveshjes së Ohrit. Gjithashtu, kërkova një kujdes më të shtuar nga Kryeministri i Shqipërisë mbi zhvillimet politike në rajon”, tha Ahmeti përmes një video-mesazhi të publikuar në Facebook.

Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua në vitin 2001. Ajo i dha fund luftës në mes të forcave polico-ushtarake maqedonase dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK). Lufta kishte nisur për shkak të diskriminimit sistematik që pushteti maqedonas ua bënte shqiptarëve atje.

Ahmeti theksoi se ka shprehur gatishmërinë e BDI-së për bashkëpunim në avancimin e proceseve.

“Shpreha gatishmërinë time, të BDI-së, për komunikim dhe bashkëpunim të hapur që të gjitha proceset t'i çojmë përpara”, shtoi Ahmeti.

Ai citoi edhe një deklaratë të mëhershme të Ramës për kufirin Shqipëri-Maqedoni. “Ky është një hap i vogël që duhet t'i prijë hapit të madh që kufijtë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë të mos ekzistojnë, por ashtu siç i ka hequr Evropa, t'i heqim edhe ne vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor”.