Kanë kaluar 63 ditë nga vendimi dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, por publiku ende nuk e ka lexuar aktgjykimin e plotë, arsyetimin e tij dhe provat mbi të cilat është mbështetur.
Mbrojtja, në anën tjetër, e indinjuar nga dënimi me gjithsej 81 vjet burgim për katërshen e UÇK-së, por edhe nga një proces i kontestuar gjerësisht për shkelje dhe anshmëri, ka kërkuar që provat dhe arsyetimi i vendimit të bëhen publike sa më shpejt.
Në një përgjigje për VOX Kosova, zyrtarë të Dhomave të Specializuara nuk kanë dhënë një datë të caktuar apo një afat të përafërt se kur mund të publikohet për publikun aktgjykimi prej mbi 2 mijë faqesh.
“Versioni publik i redaktuar i aktgjykimit të plotë është duke u përgatitur me shpejtësi, duke u siguruar që sa më shumë informacione të bëhen publike, njëkohësisht duke garantuar mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave. Versioni i plotë publik i redaktuar i aktgjykimit do të publikohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka thënë Michael Doyle.
“Gjatësia e aktgjykimit dhe hapat përkatës proceduralë mund të ndikojnë në kohën e publikimit të tij… Nuk ka asnjë shtyrje. Trupi Gjykues po përcakton afatet kohore për të siguruar që ky proces të zhvillohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, ka deklaruar ai.
Kur Gjykata e Apelit përcaktoi disa afate për paraqitjen e apelimit, ajo iu referua edhe aktgjykimit, duke vënë në pah kompleksitetin e çështjes.
Apeli theksoi se dënimi i krerëve të UÇK-së nga Trupi Gjykues i Shkallës së Parë përfshin një numër të madh vendngjarjesh të krimeve dhe incidentesh të kryera në territorin e 16 komunave, në gjashtë zona operative të UÇK-së në Kosovë, si dhe në pjesë të caktuara të Shqipërisë së Veriut, ndërmjet të paktën prillit 1998 dhe 20 qershorit 1999.
“Trupi Gjykues gjithashtu vëren gjatësinë e Aktgjykimit të Gjykimit, përkatësisht 2,089 faqe – aktgjykimi më i gjatë i nxjerrë ndonjëherë nga Dhomat e Specializuara – si dhe kompleksitetin e konsiderueshëm të kësaj çështjeje, që rrjedh, ndër të tjera, nga shtrirja e Aktakuzës dhe rolet udhëheqëse të të Akuzuarve të pretenduara në Aktakuzë”, thuhej në vendimin e Apelit të publikuar para disa javësh.
Por, sa kohë u desh për publikimin e aktgjykimeve në rastet e Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës?
Në rastin e Salih Mustafës, aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022, ndërsa Gjykata njoftoi më 19 janar 2023 se versioni i redaktuar në gjuhën angleze ishte në dispozicion të publikut. Pra, kaluan 34 ditë nga shpallja deri në publikimin e versionit publik të redaktuar.
Në rastin e Pjetër Shalës, aktgjykimi u shpall më 16 korrik 2024, ndërsa versioni publik i redaktuar në anglisht u publikua më 24 shtator 2024. Në këtë rast, kaluan 70 ditë deri në publikim.
Megjithatë, rastet e Mustafës dhe Shalës ishin dukshëm më të vogla për nga vëllimi i provave, shtrirja gjeografike dhe periudha kohore, krahasuar me rastin e krerëve të UÇK-së.
Kjo mund të nënkuptojë se publikimi i versionit të plotë të redaktuar në rastin e fundit mund të kërkojë më shumë kohë.
Vëllimi i lëndës ka ndikuar edhe në kohën që iu desh Trupit Gjykues për të shpallur aktgjykimin, pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse të palëve.
Në rastin e Mustafës, verdikti u shpall 92 ditë pas përfundimit të deklaratave përmbyllëse.
Në rastin e Pjetër Shalës, pas 90 ditësh. Ndërkaq, në rastin e krerëve të UÇK-së, pritja zgjati 210 ditë, nga 18 shkurti deri më 16 shtator 2026.
Të martën, Gjykata e Shkallës së Parë e dënoi Hashim Thaçin me 17 muaj burgim për pengim të drejtësisë. Fajtorë u shpallën edhe Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, por, për shkak të kohës së kaluar në paraburgim ose të dënimeve me kusht, ata u liruan. Isni Kilaj, ndërkaq, u shpall i pafajshëm.
Njëri nga gjyqtarët e trupit gjykues në rastin e krerëve të UÇK-së, Guénaël Mettraux, ka aplikuar për një pozitë gjyqtari në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
VOX Kosova e ka pyetur Gjykatën Speciale nëse procesi i votimit që pritet të mbahet së shpejti mund të jetë faktor në vonesën e publikimit të aktgjykimit, me qëllim të shmangies së polemikave para votimit.
“Çështjet që nuk kanë të bëjnë me procedurat gjyqësore në këtë rast nuk kanë asnjë ndikim në kohën e publikimit të aktgjykimit apo në ndonjë vendim tjetër të Trupit Gjykues”, ka thënë zëdhënësi Michael Doyle.
Gjykata Speciale është kritikuar vazhdimisht për mungesë transparence dhe mbyllje të theksuar të procesit gjyqësor, si në seanca, ashtu edhe në qasjen ndaj dokumenteve dhe provave.
Kjo mungesë transparence është vënë në pah edhe nga vetë të akuzuarit dhe ekipet e tyre mbrojtëse. Avokatët e kanë cilësuar procesin gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së si një “gjykim sekret”.









