Ushtruesja e detyrës së Kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se ka pajtueshmëri me Kryeministrin e vendit, Albin Kurti, që Projektligji i ri për Gjykatën Speciale të sillet në Kuvend javën tjetër. Në një konferencë për media, Çitaku tha se projektligji do të ketë për bazë tekstin e Ligjit të mëhershëm që u votua në dy lexime, megjithatë do të bëhen ndryshime në të.
“Në takim me Kryeministrin Albin Kurti u dakorduam që javën e ardhshme të vazhdojmë iniciativën e re ligjore për Dhomat e Specializuara. Projektligji do të ketë për bazë tekstin që Kuvendi miratoi në dy lexime në tetor. Mbi atë tekst do të bëjmë ndryshimet e nevojshme që ta bëjmë Ligjin më të qëndrueshëm juridikisht dhe për t’u dhënë çlirimtarëve tanë mbështetje shtetërore. Dallimet me z. Kurti kanë qenë te procedura parlamentare. Sot u pajtuam edhe për rrugën. Nismën ligjore menjëherë javën tjetër. Me propozimet tona konkrete dhe me propozimet e ekspertëve”, tha Çitaku.
Ajo tha se “e kanë pasur me të drejtë ata që janë shqetësuar se nisma e Ligjit ka mbetur përgjysmë”.
“Në emër të bashkëpartiakëve të mi, u kërkoj ndjesë të gjithë atyre që për shkak të vonesave e paqartësive u shqetësuan se kjo nismë do të mbetet përgjysmë. Projektligjin do ta hartojmë dhe do ta sjellim në Kuvend për votim. Më të plotë, më të qëndrueshëm juridikisht dhe më të zbatueshëm praktikisht”, tha Çitaku, duke refuzuar të flasë për specifikat që do të ndryshojnë në Ligjin e ri.
Kuvendi i Kosovës kishte miratuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale. Megjithatë, me vetë kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës, Presidentja e vendit, Justina Shiroka Pula, e kishte rikthyer të njëjtin në Kuvend.









