Një ushtar i ushtrisë amerikane po e qorton sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, pasi ky i fundit, së bashku me këshilltarët e tij, po qeshte dhe bisedonte pranë Varrit të Ushtarit të Panjohur.
Një ditë më vonë, pikërisht sekretari i Mbrojtjes e dekoron ushtarin.
Ushtari është mbi çdo ministër, mbi çdo politikë kalimtare dhe mbi çdo zyrtar të pushtetshëm.
Tash, kthehemi në Kosovë.
Disa ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës u shpërtheu municioni në armë.
Ju rrezikua edhe jeta.
Përveç lëndimeve, ushtarët e Kosovës duhet të paguajnë edhe për trajtimin e tyre shëndetësor.
Sepse nuk kanë sigurim shëndetësor.
Në prill të vitit 2026, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i cili parasheh sigurimin shëndetësor për qytetarët pa dallim.
Por planifikimi buxhetor për vitin 2027 tregon se sigurimi shëndetësor, sidomos për kategoritë që përballen me rreziqe të vazhdueshme, nuk po trajtohet si prioritet.
VOX Kosova ka siguruar dokumentin e planifikimit të buxhetit për vitin 2027, ku për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore janë paraparë gjithsej 11 milionë e 463 mijë e 42 euro.
Megjithatë, në këtë rast, buxheti parasheh mjete për administratën e Fondit dhe trajtimet jashtë institucioneve shëndetësore, por jo financim të veçantë për zbatimin e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor.
“Kosova është shumë vend i vogël, me dashtë e bën shumë shpejt, por fatkeqësisht ne kemi në pushtet një qeveri që nuk e ka shty këtë çështje përpara. Madje, madje, në buxhetin aktual, fondi për sigurime shëndetësore në përgjithësi për qytetarët është rreth 11 milionë, a në fakt, vetëm për personelin e sigurisë një parafshim atëherë ka qenë 11 milionë në vit”, thotë Besa Kabashi Rama, deputete e PDK-së.
Dhe ky nuk është problemi i vetëm me të cilin përballen ushtarët e Kosovës.
Zyra Kombëtare e Auditimit këtë vit ka prezantuar gjetje shqetësuese për gjendjen e pjesëtarëve të FSK-së.
Plot 2 milionë e 869 mijë e 999 euro u ka mbetur borxh shteti pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës vetëm gjatë vitit 2025, për orët shtesë që nuk ua ka paguar.
Sipas ZKA-së, disa prej tyre janë kompensuar me ditë pushimi, vetëm për aq sa «zhvillimi i aktiviteteve operative të FSK-së të mos pengohet».
Për më tepër, kur Ministria e Mbrojtjes kishte kërkuar ndarjen e buxhetit shtesë për pagesën e orëve shtesë të ushtarëve, Ministria e Financave nuk e kishte mbështetur këtë kërkesë.
Në Amerikë, ushtarin e dekoron ministri që ai e kishte qortuar.
Në Kosovë, ushtari duhet të paguajë vetë për shërimin e plagëve të marra gjatë shërbimit ndaj shtetit.










