Kur Jakup Krasniqi, i rrethuar nga policë të huaj, shkeli pragun e shtëpisë dhe përqafoi ngrohtësisht familjen, natyrshëm, për qindra mijëra njerëz, erdhi një dallgë e fortë e mërzisë, por edhe e irritimit.

Momentet kur Kadri Veseli vizitoi varret e prindërve të tij, që i vdiqën sa ishte në paraburgim, pamjet e Hashim Thaçit, i vetëm dhe nën përcjellje policore, nderonte varrin e babait, si dhe imazhet nga oborri i shtëpisë së Krasniqit, janë fotografi që kujtojnë orët e errëta të së kaluarës nën Jugosllavi e Serbi.

Kujtojnë historinë e jashtëzakonshme të këtyre tre burrave e mijëra të tjerëve në kryengritjen kundër shtypjes dekadëshe, por pashmangshëm edhe fatet e këqija të Kosovës në shtetndërtim, që dalin nga dyert e kancelarive botërore.

Megjithatë, mes mërzisë e irritimit, që depërtoi edhe te klasa politike, e treguar me rreshta patetikë, ka një korridor për hipokrizinë, për të vërtetat e dhimbshme për mënyrën se si shteti, një gjeneratë politike në këto 6 vjet, betejën për drejtësi, histori e liri të katërshes së UÇK-së e injoroi, e pengoi, tentoi t’i diskreditojë e dikur, me dënimin e tyre, konstruktoi pazare për pushtet.

Nga 5 nëntori 2020, Qeveria u kujdes t’ua kufizojë mbështetjen financiare për mbrojtje juridike.

Dhe, ndërsa prapa perdeve derdhte miliona në tenderë të dyshimtë, për UÇK-në manovronte me propagandë e sulme, sikur mbrojtja po kushton shumë, a thua se përpjekja për liri paska çmim.

Ndërseu një armatë komisarësh politikë në ekzekutiv, në Kuvend e jashtë tyre, për t’i njollosur me propagandë ditore që, sikurse Haga, godet historinë dhe personalitetin e tyre.

Për 6 vjet, ky pushtet dhe klasa tjetër politike nuk patën vullnetin, dëshirën e as angazhimin për një strategji lobimi, monitorimi e sensibilizimi për gjyqin sekret e politik, që në vazhdimësi cenoi rëndë të drejtat e njeriut.

Tek atëherë kur dallga e madhe e vendimit skandaloz e dënues pushtoi Kosovën, u kujtuan të prodhojnë një ligj, që para së gjithash e shndërruan në mjet për pazare, për ta shëtitur sa në një zyrë, sa në tjetrën, teksa koha kalon.

Vetëm pas verdiktit u kujtuan të rrisin fondet për mbrojtje, të flasin për ide, komisione, dokumente e strategji, por që ende, 60 e sa ditë pas aktgjykimit, nuk prodhojnë asnjë hap konkret.

Do të kalojë edhe kjo dallgë e mërzisë dhe irritimit, e me gjasë do të jetë e njëjtë politika kosovare.

Por Kosova ka ndryshuar shumë pas 16 shtatorit.

Historia e saj është goditur. Lufta e saj për liri është dënuar e kriminalizuar.

E ardhmja është mjegulluar.

Se si do ta kujtojë Kosova veten pas shumë kohësh nga tash, nuk do të jenë mërzia dhe irritimi i shprehur në ca rreshta, video e fotografi, por guximi dhe aktet për të mos e lënë që lavdia e luftës së saj për liri të mbytet.