Mjekët e rinj kanë vazhduar protestën të dielën, kësaj radhe kanë ofruar konsulta mjekësore falas.

Ata thonë se, pavarësisht dëshirës dhe vullnetit për t’u shërbyer qytetarëve, nuk u është dhënë mundësia të punojnë në vendin e tyre.

“Sot e kemi vazhduar iniciativën tonë, e cila ka filluar më datë 23 tetor, ku kemi adresuar disa kërkesa që kanë të bëjnë me dinjitetin e profesionistëve shëndetësorë, ku ndër të cilat hyn çështja e punësimit, pra sigurimi për punësimin tonë pas diplomimit”, ka thënë studenti Besfort Racaj.

Ai theksoi se vazhdimisht kanë qenë “të injoruar nga shteti” dhe se nuk janë pranuar për dialog.

“Kërkesa për specializime, për stazhin pa pagesë, i cili është 6 muaj obligativ. Dhe disa kërkesa që lidhen me dinjitetin e profesionistëve shëndetësorë, ani pse kërkesa jonë ka pasë të bëjë me një dialog në Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet e vendit ku i kemi adresuar ato kërkesa”.

“Kësisoj kemi marrë që këto kërkesa t’i ngrisim me anë të daljes tonë në rrugë, ku dje kemi pasur protestën e parë tek Ministria e Shëndetësisë, kemi qenë të obliguar, nuk ka qenë dëshirë e jona që me mantela të bardhë të dalim në rrugë”, theksoi ai.

Ata kërkojnë zgjidhje për kërkesat e tyre që të mos detyrohen të emigrojnë.

“Sot e kemi vazhduar këtë aksion simbolik, ku në formë të protestës do të ofrojmë konsulta mjekësore falas për qytetarët e rastit. Këto konsulta ofrohen nga doktorët e papunë, të cilëve nuk iu ka dhënë mundësia që të iu shërbejnë qytetarëve të vendit, ani pse dëshira dhe vullneti është shumë e madhe për të shërbyer në vendin tonë dhe për të kontribuar për qytetarët e këtij vendi, ngase kemi dëshirë që dijen që e kemi marrë nga shteti ynë, të ia kthejmë vendit tonë dhe të mos emigrojmë”.