Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, e nisi të enjten pyetjen drejtuar Kryeministrit Albin Kurti me një fjali që e kishte thënë vetë ai kur po përgatitej ta merrte pushtetin: "familjarët janë për dasma". A qëndronte ende pas saj? Kurti tha se po. Shtoi se është ballëhapur për punësimet që kanë ndodhur gjatë qeverisjes së Vetëvendosjes.
Në replikë, Musliu lexoi një listë të gjatë emrash. Ishin njerëz të punësuar nëpër institucione publike, të lidhur me familje a struktura partiake të zyrtarëve të lartë të Vetëvendosjes. Kurti nuk iu përgjigj emrave. Ia ktheu pyetjen pyetjes. "Për emrat që i lexuat ju do të duhej të na tregoni cili prej këtyre emrave nuk ka qenë në krye të listës kur është angazhuar", tha ai, duke shtuar se kritikët duhet të provojnë që lidhja familjare i ka bërë të kalojnë mbi ata që ishin më të zotë. Më tej tha se familjarët nuk mund të persekutohen.
Për një njeri që ka përcjellur Vetëvendosjen gjatë viteve në opozitë, kjo përgjigje ka një tingull të njohur, por jo nga goja e kësaj partie. Nepotizmi ishte një nga akuzat që ajo i ngriti më shpesh dhe më fort, e radhitur lartë në mes të këqijave më të mëdha të politikës kosovare. Çdo punësim që kishte gjurmën e një lidhjeje me ndonjë pushtetar shihej si prova e radhës se institucionet ishin kthyer në pronë private të të fuqishmëve. Personi i punësuar bëhej objekt i linçimit publik. Askush nuk e pyeste atëherë nëse ishte i kualifikuar. Mjaftonte që kishte një të afërm në vendin e duhur.
Në sallën e Kuvendit të enjten, kjo logjikë u rrokullis përmbys. Tani pyetja nuk është nëse ka lidhje, por nëse mund të provohet se i punësuari nuk e meritonte. Barra i kaloi atij që pyet.
Mbrojtja e meritës është ajo që ka thënë çdo Qeveri e akuzuar për favorizim. Në Kosovë nuk ka pasur Kryeministër a Ministër që të ketë pranuar se ka punësuar një të afërm sepse ishte i dobët. Të gjithë kanë folur për konkurs të rregullt, për kandidat të kualifikuar, për rastësi. Vetëvendosja i ka dëgjuar këto përgjigje nga Qeveri të tjera dhe nuk ka pranuar asnjërën. Sot kryeministri e përdor vetë.
Në seancë askush nuk kërkoi që të afërmve të zyrtarëve t'u mohohet e drejta për punë. Musliu prezantoi një listë konkrete të emrave dhe e pyeti për fenomenin që partia në pushtet dikur kishte bërë fushatë me lista të njëjta. Ajo që dikur quhej e keqja e madhe, tani ka ndryshuar emër. Quhet persekutim.
Vetëvendosja hyri në politikë me një premtim që shkonte përtej programit. Thoshte se nuk do t'u ngjante atyre që kritikonte. Nuk erdhën me premtimin se do të bëjnë më mirë. Por, se janë ndryshe.
Të enjten, Kurti dëshmoi se janë ndryshe. Ndryshe nga seç kanë premtuar.










