Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka kërkuar që në Komisionin Hetimor Parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt të ftohet edhe kryeministri Albin Kurti.
Gjatë mbledhjes së komisionit, Kica-Xhelili ka argumentuar se Kurti, njëjtë sikurse kryetarët e komunave për drejtoritë komunale, mban përgjegjësi për zbatimin e politikave të ministrive në nivelin qendror.
Ajo është thirrur në Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Qeverinë, duke thënë se përgjegjësitë në nivelin qendror duhet të trajtohen me të njëjtin standard si ato në nivelin lokal.
“Duhet të ftohet edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, si përgjegjës i politikave të nivelit qendror të ministrive përkatëse”, ka thënë ajo.
Përveç Kurtit, deputetja e LDK-së ka kërkuar që para komisionit të dëshmojë edhe ministri i Financave, Hekuran Murati.
Kjo, sipas saj, për të sqaruar se si Ministria e Financave e ka vlerësuar nevojën për shtimin e kapaciteteve njerëzore në Qendrat për Punë Sociale nëpër komunat e Kosovës.
Kica-Xhelili ka thënë se gjatë mbledhjeve të komisionit është përmendur disa herë pamundësia e komunave për të rialokuar buxhetin dhe për të rritur numrin e punonjësve në këto qendra.
Ajo ka vlerësuar se dëshmia e Muratit është e nevojshme për të kuptuar se si është trajtuar kjo nevojë nga niveli qendror dhe për të plotësuar pjesën e dytë të raportit të komisionit.










