Nënkryetarja e Kryeqytetit, Besianë Musmurati, ka njoftuar se Komuna e Prishtinës u ka dërguar letra zyrtare deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar angazhimin e tyre për zhbllokimin e projektit prej 74.1 milionë eurosh për modernizimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave në rajonin e Prishtinës.
Në një konferencë për media, Musmurati ka thënë se projekti, i përgatitur në bashkëpunim me bankën gjermane KfW, parasheh blerjen e rreth 100 kamionëve të rinj dhe 10 mijë kontejnerëve, ndërtimin e një qendre për riciklim dhe kompostim, si dhe modernizimin e shërbimeve të pastrimit.
Sipas saj, për këtë projekt është punuar që nga viti 2023, në bashkëpunim me KRM “Pastrimi”, Ministrinë e Financave dhe KfW-në. Ndërkaq, Qeveria e Kosovës më 18 dhjetor 2024 e kishte miratuar në parim nismën për marrëveshjen e kredisë.
Megjithatë, marrëveshja ende nuk është nënshkruar nga ministri i Financave, Hekuran Murati.
“Nuk po flasim për një ide që duhet të nisë nga zero. Po flasim për një projekt të përgatitur dhe të dakorduar mes palëve, i cili vazhdon të mbetet pa nënshkrimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati”, deklaroi Musmurati.
Ajo e cilësoi mosnënshkrimin e marrëveshjes si bllokadë të motivuar politikisht, duke thënë se pasojat po i bartin qytetarët e Prishtinës.
“Prishtina nuk mund të vazhdojë të paguajë çmimin e inateve partiake”, u shpreh ajo.
Përmes letrave, Komuna e Prishtinës u ka kërkuar deputetëve që të përdorin mekanizmat parlamentarë për të kërkuar sqarime nga Ministria e Financave për arsyet e mosnënshkrimit të marrëveshjes dhe të angazhohen për tejkalimin e kësaj situate.
Letrave u janë bashkëngjitur tri dokumente zyrtare: dokumenti i KfW-së për projektin dhe financimin e tij, vendimi i Qeverisë i 18 dhjetorit 2024 për miratimin në parim të nismës për marrëveshjen e kredisë, si dhe letra e përbashkët e Komunës së Prishtinës, KRM “Pastrimi” dhe KfW-së, e dërguar në Ministrinë e Financave më 15 maj 2026.
“Deputetëve nuk po u drejtohemi vetëm me një kërkesë. Po ua dorëzojmë edhe dokumentacionin që dëshmon se ky projekt është përgatitur dhe se institucionet janë njoftuar zyrtarisht për nevojën e finalizimit të tij. Presim që deputetët ta ushtrojnë përgjegjësinë e tyre institucionale dhe të kërkojnë llogaridhënie”, theksoi Musmurati.










