Shqipëria i është bashkuar nismës amerikane “Trump Peace Pipelines Framework” e cila ka të bëjë me gazin e lëngshëm natyror si alternativë për prodhimin e energjisë elektrike. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes Ambasadës së tyre në Tiranë, kanë përshëndetur këtë vendim, i cili sipas tyre, “krijon mundësi të reja për kompanitë dhe punonjësit amerikanë e shqiptarë”.
“Krenari të shohësh Shqipërinë t'i bashkohet nismës "Trump Peace Pipelines Framework", ndërsa Ambasadori Wendt nënshkroi Memorandumin e Mirëkuptimit në Ministerialin e Partneritetit Transatlantik për Bashkëpunimin Energjetik (P-TEC), duke dëshmuar për rritjen e angazhimit rajonal për sigurinë dhe diversifikimin energjetik. Ky është një hap i rëndësishëm drejt uljes së cenueshmërisë së rajonit ndaj ndërprerjeve të furnizimit me energji, duke krijuar njëkohësisht mundësi të reja për kompanitë dhe punonjësit amerikanë dhe shqiptarë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Ambasada e SHBA-ve në Tiranë.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kishte bërë thirrje edhe Kosovës që t’i bashkohet projektit të gazit të lëngshëm natyror i cili vjen nga SHBA-të. Dhe atë, në formë urgjente në mënyrë që të shmanget varësia nga Rusia.
“Kosova duhet të veprojë shpejt për të realizuar këtë partneritet sepse ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme do të kërkojë kohë. Eksportet e GNL -së amerikane pritet të dyfishohen deri në vitin 2030 dhe do të rrjedhin përmes projekteve rajonale si Korridori Vertikal i Gazit dhe terminali lundrues i gazit natyror në Kroaci. Kosova gjithashtu mund të lidhet me gazsjellësin që po ndërtohet për të lidhur terminalin e GNL -së në Aleksandrupolis në Greqi me Shkupin në Maqedoninë e Veriut”, thotë Ambasada.
Në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte hedhur poshtë mundësinë që një infrastrukturë e Gazit të Lëngshëm Natyror Amerikan të ndërtohet në Kosovë. Sipas tij, një e tillë duhet të bëhet në Vlorë, e pastaj nga aty gazi të transferohet si energji elektrike në Kosovë.
“Republika e Kosovës ka gatishmëri që të investojë në Terminalin në Vlorë dhe paramendojeni një situatë kur për shembull ne kemi një përqindje të aksioneve si Republikë e Kosovës në Terminalin në Vlorë. Dhe aty mund të vijë gazi i lëngshëm prej jashtë, të shndërrohet në energji elektrike dhe me interkoneksionin prej 400 kiloëolt që kemi me Shqipërinë ta sjellim tek ne”, tha Kurti në intervistën e dhënë në RTK një ditë para zgjedhjeve.
“Nuk kemi nevojë ta sjellim në Kosovë. Ne e sjellim në Vlorë dhe nga Vlora e marrim. Terminali në Vlorë mund të jetë një vend ku Shqipëria dhe Kosova janë bashkë sa i përket gazit të lëngshëm i cili importohet, vjen nga jashtë”, thotë Kurti.










