“Unë jam i bindur se në Kosovë jetohet shumë më mirë si qytetar i Republikës sesa si banor i komunës. Besoni, një ndër shkaqet kryesore të migrimit, qoftë të brendshëm, qoftë jashtë, është arsimi”, tha Albin Kurti, më 19 nëntor 2026.

E pasaktë, dy herë.

Mundësitë më të mira të punësimit, pagat më të larta dhe standardi më i mirë i jetesës janë tri arsyet kryesore pse të rinjtë e Kosovës dëshirojnë të migrojnë jashtë vendit.

Sipas një hulumtimi të fondacionit gjerman Friedrich Ebert Stiftung, 31.8 për qind e të rinjve janë deklaruar se dëshirojnë të migrojnë jashtë vendit për të pasur një standard më të mirë jetese, 16.5 për qind për mundësi më të mira punësimi dhe 16.3 për qind për paga më të larta.

Sipas këtij hulumtimi të vitit 2024, rreth 27 për qind e të rinjve kanë shprehur dëshirë të fortë për t'u larguar nga atdheu.

Ndërkaq, sipas një hulumtimi të Institutit GAP, 28.2 për qind e qytetarëve dëshirojnë të emigrojnë sepse kërkojnë mundësi më të mira punësimi, 26.3 për qind sepse kërkojnë cilësi më të mirë të jetesës për veten dhe familjen, ndërsa 22.4 për qind për paga më të larta.

Sa për rikujtim, që nga viti 2021, rreth 200 mijë qytetarë kanë lënë Kosovën.

Pra, nuk po largohen sepse jetojnë keq si banorë të komunave dhe arsimi nuk është faktori kryesor që i shtyn drejt emigrimit.

Ata që po largohen, po e bëjnë këtë sepse, si qytetarë të Republikës së Kosovës, nuk janë të kënaqur me standardin e jetesës, mundësitë e punësimit dhe nivelin e pagave.