Mijëra studentë pritet të protestojnë të premten në disa vende evropiane, në kuadër të aksioneve të të koordinuara.

Kërkesat e tyre përfshijnë ndaljen e luftërave, kundërshtimin e shkurtimeve të buxhetit për mirëqenien sociale dhe, në disa raste, edhe kundërshtimin e vetë sistemit kapitalist.

Këto protesta janë pjesë e një vale më të gjerë të pakënaqësisë rinore që gjatë këtij viti ka përfshirë rrugët e qyteteve nga Franca deri në Indi. Lëvizjet e të rinjve kanë ndikuar gjithashtu në zhvillimet politike dhe në rezultatet e zgjedhjeve në disa vende të Evropës dhe të kontinentit amerikan.

Sondazhet tregojnë se votuesit e rinj dhe të pakënaqur kanë luajtur rol të rëndësishëm në largimin nga pushteti të liderëve nacionalistë në Hungari dhe Serbi.

Ata kanë ndikuar edhe në zgjedhjen e senatorit të parë me ngjyrë nga Misisipi që nga periudha e Rindërtimit, si dhe në rritjen e mbështetjes për një parti të ekstremit të djathtë në Gjermani, e cila mund të marrë për herë të parë drejtimin e një landi gjerman që nga Lufta e Dytë Botërore.

Pesha e votës së të rinjve pritet të jetë e rëndësishme edhe në zgjedhjet e ardhshme në Francë dhe Spanjë.

“Po bëhet gjithnjë e më e vështirë të mos i ndërlidhim të gjitha problemet me të cilat përballet brezi ynë. Jo vetëm në vende të caktuara, por në nivel global”, ka deklaruar Adam Powell-Davies, 27 vjeç, kryetar kombëtar i organizatës britanike Studentët Socialistë, një prej grupeve që po organizojnë protestat.

Pakënaqësia ndaj sistemit

Zemërimi i të rinjve nuk po përkthehet në mbështetje për një rrymë të vetme politike. Përfitues të kësaj pakënaqësie janë bërë si politikanët e qendrës, ashtu edhe ata të ekstremit të majtë dhe të djathtë, të cilët po ofrojnë zgjidhje radikale përmes mesazheve të drejtpërdrejta dhe lehtësisht të shpërndara në rrjetet sociale.

Sipas organizatorëve dhe ekspertëve, ajo që i bashkon këto lëvizje është pakënaqësia ndaj strukturave ekzistuese të pushtetit politik, pavarësisht orientimit të tyre ideologjik, si dhe bindja se mundësitë për një të ardhme më të mirë ekonomike po zvogëlohen.

Pandemia, luftërat, ndryshimet klimatike dhe krizat financiare kanë krijuar një klimë pasigurie për një brez të tërë. Në ekonomitë e pasura, të rinjtë po përballen me frikën se mund të mos i gëzojnë kurrë kushtet e jetesës, mirëqenien dhe liritë që i patën prindërit dhe gjyshërit e tyre.

Franca është një prej vendeve që po përballet me borxh të lartë publik dhe me dilema të vështira për financimin e sistemit të saj të mirëqenies sociale.

“Për ne nuk ka të ardhme”, ka thënë Laura Spearey, 27-vjeçare nga Bilbao e Spanjës, studente e teknologjisë informative, e cila ka udhëtuar drejt Britanisë për t'iu bashkuar protestave.

Ajo ka përmendur vështirësitë për të siguruar banim, kujdes shëndetësor dhe nevojat e tjera themelore të jetës së të rriturve.

“Nuk ke asnjë mundësi për ta pasur jetën tënde dhe për ta ndërtuar projektin tënd jetësor”, është shprehur ajo.

Shqetësime të tilla nuk janë të reja. Ato ishin ndër arsyet që nxitën edhe protestat e lëvizjes “Occupy”, pas krizës financiare të vitit 2008. Megjithatë, të dhënat e anketave tregojnë se pakënaqësia po bëhet gjithnjë e më e madhe, edhe në vende si Gjermania, ku papunësia e të rinjve dhe borxhi publik janë më të ulëta sesa në Britani dhe Francë.

Një studim akademik në Gjermani, i titulluar “Të rinjtë në Gjermani”, i cili ka anketuar më shumë se 2.000 të rinj çdo vit gjatë nëntë vjetëve, konstaton se shqetësimet ekonomike të këtij brezi janë shtuar gjatë dekadës së fundit.

“Çështja kryesore nuk është vetëm nëse të rinjtë e sotëm janë objektivisht në gjendje më të keqe sesa gjeneratat e mëparshme. Ajo që ka rëndësi është se shumë prej tyre kanë filluar të besojnë se premtimet tradicionale të shoqërisë nuk vlejnë më për ta”, ka deklaruar Klaus Hurrelmann, profesor i shëndetit publik dhe edukimit në shkollën Hertie në Berlin dhe bashkautor i studimit.

Shpenzimet ushtarake, një tjetër burim pakënaqësie

Një prej çështjeve që po e shton pakënaqësinë e të rinjve në Evropë është edhe rritja e planifikuar e shpenzimeve për mbrojtjen. Qeveritë evropiane kanë paralajmëruar investime gjithnjë e më të mëdha në ushtri, si për të kompensuar zvogëlimin e mbështetjes ushtarake amerikane për kontinentin, ashtu edhe për t'iu kundërvënë kërcënimit nga Rusia.

Por protestuesit e rinj kundërshtojnë këtë politikë, duke argumentuar se paratë që po ndahen për ushtritë duhet të investohen në arsim, shëndetësi dhe shërbime të tjera sociale.

Në Gjermani, disa prej grupeve organizatore thonë se mobilizimi i tyre është nxitur edhe nga përpjekjet e qeverisë për t'i inkurajuar të rinjtë të regjistrohen në shërbimin ushtarak. Ata druajnë se kjo politikë mund të çojë në rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.

Një prej organizatave gjermane që po organizon protestat, “Gen Z Regelt”, që mund të përkthehet si “Gjenerata Z i vë gjërat në vend”, ka publikuar një listë kërkesash, në të cilën përfshihet edhe dorëheqja e kancelarit Friedrich Merz. Ky i fundit ka udhëhequr përpjekjet për rritjen e shpenzimeve ushtarake të Gjermanisë.

Grupi kërkon gjithashtu që të mos ndahet asnjë person dhe asnjë cent për forcat e armatosura gjermane.

Kërkesat e kësaj organizate dhe të grupeve të tjera protestuese janë të orientuara dukshëm nga e majta. Ato përfshijnë kritika ndaj sistemit kapitalist, por nuk e vendosin konfliktin mes të rinjve dhe gjeneratave më të vjetra.

Në vend të kësaj, protestuesit e shohin përplasjen si një konflikt mes punëtorëve dhe elitave të pasura e të fuqishme. Sipas tyre, problemi nuk qëndron te gjeneratat e vjetra, të cilat kanë pasur më shumë mundësi për të blerë shtëpi apo për të siguruar pensione të mira, por te mënyra se si shpërndahet pasuria dhe se kush i kontrollon burimet ekonomike.

“Nuk është një betejë mes të rinjve dhe të moshuarve. Asnjëri prej këtyre grupeve nuk e kontrollon se ku po shkojnë këto para”, ka deklaruar Hannah Ponting, 20-vjeçare, anëtare e Studentëve Socialistë në Universitetin e Liverpoolit, e cila po ndihmon në organizimin e protestave në atë qytet.

Të rinjtë po orientohen edhe drejt ekstremit të djathtë

Pakënaqësia e të rinjve nuk po përkthehet domosdoshmërisht në mbështetje për të majtën. Në disa vende, ajo po shfrytëzohet edhe nga partitë e ekstremit të djathtë.

Në Berlin, në zgjedhjet lokale të shtatorit, partia e ekstremit të majtë Die Linke arriti një fitore të papritur, e ndihmuar edhe nga rritja e pjesëmarrjes në votime të qytetarëve që nga mosha 16-vjeçare.

Por në vende të tjera, shqetësimet ekonomike dhe politike kanë shtyrë votuesit e rinj drejt së djathtës ekstreme.

Në Francë, sipas sondazheve të fundit, rreth një në pesë votues nën moshën 25-vjeçare thotë se do të votojë për partinë kryesore të ekstremit të djathtë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024, përqindja e të rinjve që votuan për të djathtën ekstreme ishte edhe më e lartë.

Një zhvillim i ngjashëm është regjistruar edhe në landin gjerman të Saksonisë-Anhalt. Sondazhet pas zgjedhjeve të shtatorit treguan se partia Alternativa për Gjermaninë (AfD) mori më shumë se 40 për qind të votave te zgjedhësit më të rinj, më shumë se dyfishi i mbështetjes që mori cilado parti tjetër.

Kandidati kryesor i AfD-së, Ulrich Siegmund, është bërë një figurë e njohur në TikTok. Ai premtoi rikthimin e mundësive ekonomike për banorët e landit përmes dëbimit të disa emigrantëve, ofrimit të përfitimeve të reja për prindërit e rinj dhe ndërprerjes së mbështetjes gjermane për Ukrainën.

Sipas Klaus Hurrelmann, suksesi i AfD-së dhe Die Linke dëshmon se sa shpejt të rinjtë mund t'ua kthejnë shpinën partive politike që kanë premtuar ndryshime të shpejta, por nuk i kanë realizuar ato.

Vetëm pesë vjet më parë, të rinjtë gjermanë kishin mbështetur kryesisht partitë e qendrës në zgjedhjet kombëtare. Tani, këto parti po humbin terren përballë AfD-së dhe Die Linke, të cilat po premtojnë ndryshime radikale dhe po distancohen nga modeli i qeverisjes përmes kompromiseve, që ka dominuar për një kohë të gjatë politikën gjermane.

“Ato janë plotësisht të lira të premtojnë gjithçka, sepse aktualisht nuk janë në pozitë për t'i realizuar premtimet e tyre”, ka thënë Hurrelmann.

Partitë tradicionale përballë dilemës së votuesve të moshuar

Partitë tradicionale politike kanë pak nxitje për t'i përmbushur kërkesat e të rinjve, pasi një veprim i tillë mund t'i largojë votuesit më të moshuar, të cilët përbëjnë shumicën e elektoratit të tyre.

Kështu vlerëson Tim Vlandas, profesor në Universitetin e Oksfordit, i cili studion ndikimin politik të plakjes së popullsisë.

Sipas tij, edhe në rast se partitë e ekstremit të majtë apo të djathtë do të merrnin pushtetin, ato do të përballeshin me të njëjtin presion, pasi për të qëndruar në qeveri do t'u duhej të siguronin mbështetjen e gjeneratave më të vjetra.

Një situatë e tillë, sipas tij, mund ta shtojë edhe më shumë pakënaqësinë e të rinjve dhe t'i shtyjë ata drejt protestave.

“Kur nuk ke ndikim në politikë, mund të protestosh. Mund të ndihesh i përjashtuar dhe të ndalosh së votuari”, ka deklaruar Vlandas. “Ose mund të radikalizohesh.”