Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka mbrojtur nepotizmin kur Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ia kujtoi deklaratën e tij, ku Kurti thoshte se familjarët janë për dasma.

“Gjatë fushatës zgjedhore patët deklaruar publikisht se farefisi dhe familjarët janë për dasma e jo për institucione, pyetja ime konkrete për juve është, a mendoni edhe sot ashtu, a e keni atë qëndrim apo qëndrimi juaj ka ndryshuar?”, e pyeti Musliu Kurtin.

Kurti tha se familjarët nuk duhet të persekutohen.

“Ajo çfarë kam thënë unë është se në përfaqësimin politik e institucional duhet të vijnë njerëz të ndershëm e të dijshëm, patriotë e profesionistë dhe këto të jenë kriteret themelore e kurrsesi familja a prejardhja farefisnore”, tha Kurti.

“Unë nuk kam thënë që duhet të vij dikush që s’ka familje as farefis. Po unë kam thënë që mos me qenë familja dhe farefisi lidhja, kushti dhe mundësia nëpërmjet së cilës dikush punësohet. Tash kjo nuk nënkupton që do të duhej familjarët e farefisin e secilin ta persekutojmë apo largojmë nga Kosova”, shtoi Kurti.

Pas kësaj, Musliu e lexoi një listë të gjatë të punësimeve familjare të zyrtarëve të VV-së nëpër institucione publike.

“Kryeministër krejt çka prita prej teje është me thanë bima atë listë se unë se kam ditë, e dyta me dal me iu kërku falje të gjitha atyre familjeve që ti dhe krejt deputetët e Vetëvendosjes në emrin tënd i kanë persekutu”, deklaroi Musliu.

Ndërsa, Kurti i tha Musliut se duhet të tregojë se për cilët nga këta emra ka pasur ndikime që të punësohen.

“Për emrat që i lexuat ju do të duhej të na tregoni cili prej këtyre emrave nuk ka qenë në krye të listës kur është angazhuar dhe që lidhja familjare paska bërë që t’i shkapërcej ata që kanë qenë më të zot dhe personi në fjalë qenka punësuar kjo është pyetja”, ka thënë Kurti.