“Paneli Gjykues ende nuk ka nxjerrë ndonjë urdhër për caktimin e afatit për shpalljen e aktgjykimit” ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Kështu ka thënë për VOX Kosova Angela Griep, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, e njohur gjerësisht si Gjykata Speciale, kur është pyetur se a ka ndonjë datë kur paneli i gjyqtarëve do ta marrë vendimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Procesi gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së përfundoi më 18 shkurt, pas paraqitjeve të fjalëve përfundimtare të palëve. Pas kësaj, trupi gjykues është tërhequr për vendim, i cili duhet të jepet brenda 90 ditëve – më 19 maj.
Nga ky afat kanë mbetur edhe 34 ditë. Sipas ligjeve të Speciales, trupi gjykues mund të kërkojë edhe dy muaj kohë nëse brenda 90 ditorëshit fillestar nuk ka marrë një vendim.
E pyetur nga VOX-i, nëse trupi gjykues ka kërkuar edhe këto dy muaj, Griep nuk ka treguar nëse e kanë bërë. Ajo ka theksuar se mund ta bëjnë këtë pa kërkuar, por vetëm duhet ta arsyetojnë.
“Në përputhje me Rregulloren e Procedurës dhe Provave (Rregulli 159), Paneli Gjykues nuk ka nevojë të ‘kërkojë’ ndonjë zgjatje. Megjithatë, ai duhet të japë një vendim me arsyetim për zgjatjen. Rregullorja nuk përcakton një afat të saktë se kur duhet të nxirret një vendim i tillë”, potencoi Griep për VOX-in.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga 5 nëntori i vitit 2020. Ata akuzohen nga Dhomat e Specializuara për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit. Për këto akuza, ata janë deklaruar plotësisht të pafajshëm.
Prokuroria e Speciales ka kërkuar nga 45 vjet dënim për secilin nga krerët e UÇK-së. Në total 180 vjet.
Procesi gjyqësor ndaj tyre filloi në prill të vitit 2023 – më shumë se tri vjet pas arrestimit. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), më 16 prill të 2025-së, njoftoi se kishte mbyllur paraqitjen e provave ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Në anën e krerëve të UÇK-së ka pasur dëshmitarë tejet të rëndësishëm ndërkombëtarë si ish-ndihmëssekretari Amerikan, James Rubin, ish-Komandanti i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Wesley Clark, ish-diplomati amerikan, Chris Hill etj.
Ata, ndër të tjera, kanë theksuar se UÇK-ja nuk ka pasur zinxhir komandues, ashtu siç tenton që ta paraqesë Prokuroria e Speciales.
Nga njohësit e çështjeve juridike – si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë – vazhdimisht ka pasur kritika për mënyrën se si është zhvilluar procesi në Hagë. Është konsideruar si i anshëm, janë pranuar provat nga Serbia, ka pasur dyshime edhe se po shkelen të drejtat e njeriut dhe se janë fshehur prova shfajësuese.
Kundër mënyrës se si është zhvilluar procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë organizuar disa protesta, ku mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet kërkuan drejtësi. E fundit u mbajt në Prishtinë, më 17 shkurt. Para kësaj janë mbajtur edhe dy të tjera në Kryeqytetin e Kosovës, është mbajtur nga një edhe në Tiranë, Hagë, Strasburg e Shkup.
Që të ketë proces të drejtë në Speciale është kërkuar edhe nga institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë. Më 12 shkurt, Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë miratuan rezoluta në mbrojtje të krerëve të UÇK-së, ku u kërkua, ndër të tjera, që Gjykata Speciale të sigurojë një proces gjyqësor të paanshëm.









