Me projektin politik të ndërtuar nga Jack Smith, të prezantuar gjoja si aktakuzë juridike, Gjykata Speciale, që nga nisja e procesit ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka ngritur shqetësime serioze për shkeljen e të drejtave të njeriut, përmes një gjykimi të anshëm, të fshehtë e të gjatë, me mos verifikim të provave, si dhe paraburgim përtej çdo standardi ndërkombëtar.
Në vend se të shërbenin si një roje e drejtësisë, duke ruajtur barazinë e armëve të palëve dhe duke sfiduar provat e prokurorisë përmes materialeve dhe pyetjeve shfajësuese, gjyqtarët e panelit në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, kanë bërë të kundërtën.
Ishin shpesh si një zyrë rezervë e prokurorisë.
Koha e gjatë e tyre për marrjen në pyetje të dëshmitarëve, pyetjet orientuese, hipotetike e spekuluese, hapja e temave të reja që dilnin jashtë kornizës së aktakuzës, është një metodë që ata kanë aplikuar dhe që përbën një rast të rrallë e shembull problematik në gjykimet ndërkombëtare.
Mbrojtja e ka sfiduar këtë praktikë, në seanca dhe shkresa zyrtare, duke theksuar se paraqet thellësisht një minim të drejtësisë, të drejtave të akuzuarve për gjykim të paanshëm, si dhe krijon përshtypjen se prezumimi i pafajësisë së të akuzuarve nuk po respektohet.
Në shumë procese të tjera për krime lufte, përfshirë edhe ato të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, lirimi i përkohshëm i të akuzuarve në faza të ndryshme të procedurës ka qenë praktikë e zakonshme.
Por kjo nuk ka qenë e tillë në procesin kundër katërshes së UÇK-së.
Ata po mbahen në paraburgim që nga 5 nëntori i vitit 2020 – duke kaluar 5 vjet e tre muaj të mbyllur, me refuzime të vazhdueshme për mbrojtje në liri.
Garancitë e ofruara nga Policia e Kosovës për mbikëqyrje të të akuzuarve në rast të lirimit të përkohshëm nuk kishin bindur gjyqtarët në Hagë, dhe ky është një fakt shqetësues që tregon se kjo gjykatë, e supozuar të jetë kosovare, nuk pati besim në Policinë e Kosovës – e vlerësuar për profesionalizëm.
Një gjykim në afat kohor sa më të shpejtë është një tjetër e drejtë që garantohet nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, por që nuk gjeti zbatim në procesin kundër krerëve të UÇK-së.
Prokuroria premtoi nisjen e gjykimit në verën e vitit 2021, por kjo ndodhi tek në prill 2023, zgjati me dëgjimin e dëshmitarëve deri në dhjetor 2025 dhe do të mbyllet në shkurt me fjalët përfundimtare, për t’i hapur rrugë nxjerrjes së aktgjykimit brenda 90 ditëve.
E drejta për gjykim të hapur është një parim universal, por në çështjen ndaj krerëve të UÇK-së kjo e drejtë u shkel dhe gjykimi i mbyllur ishte rregulli, ndërkaq hapja ishte e pazakonshme.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Prokuroria ka paraqitur 263 dëshmitarë. Prej tyre, 138 janë dëshmi të dorëzuara me shkrim – për të cilat publiku nuk di absolutisht asgjë – ndërsa rreth 70 të tjerë janë paraqitur në seanca të mbyllura. Vetëm rreth 50 dëshmitarë kanë qenë të hapur për publikun.
Qytetarët e Kosovës, me këtë mbyllje dere nga gjykata, u përjashtuan nga mundësia për ta kuptuar vërtetësinë e provave, besueshmërinë e dëshmitarëve, metodat e prokurorëve, pozicionimin e gjyqtarëve dhe argumentimet e ekipeve mbrojtëse.
Vërtetësia e provave ishte një betejë e vazhdueshme në sallën e seancave në Hagë.
Mijëra dokumente të Prokurorisë janë pranuar nga paneli si prova, pa asnjë proces të verifikimit e filtrimit, përkundër se ato nuk kishin as nënshkrim, as datë, as autor dhe nuk dihej as origjina e tyre.
Një nga rastet ishte me një ditar lufte, i pretenduar të jetë i një ushtari të UÇK-së, që u pranua si provë, megjithëse kishte dyshime të forta nga mbrojtja se ai ishte i manipuluar dhe se paraprakisht kishte qenë në duart e Shërbimit Sekret Serb.
Ky proces kaq i shtrembëruar juridikisht duhet të jetë një alarm që shkund burokracinë evropiane.
Me zellin e saj për themelimin e kësaj gjykate, premtoi respektim të standardeve të drejtësisë, ndërkaq tash hesht dhe i jep krah shkeljes së të drejtave të njeriut, ligjeve e konventave ndërkombëtare, si dhe persekutimit politik e njerëzor të katër figurave të rëndësishme të shtetit të Kosovës.