Dosja përfundimtare e Prokurorisë Speciale në Hagë është një konstrukt i ndërtuar mbi qindra shtrembërime dokumentesh, citime të deformuara dëshmish dhe deklarata të përgjysmuara, qëllimshëm, me synim dënimin 180-vjeçar të katër krerëve të UÇK-së.
Kështu, ajo ka shkelur obligimin e saj themelor për paraqitjen objektive të fakteve, në mënyrë që të garantohet një gjykim i drejtë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
“Kemi rreth 500 nga këto sllajde që tregojnë paragrafin dhe, më pas, me shënimet poshtë faqes, duke i analizuar ato për të shpjeguar pse, në të vërtetë, nuk e mbështesin atë që thuhet në tekst”, Rodeny Dixon, avokat i Kadri Veselit.
Prokuroria ka shkuar aq larg sa është përpjekur që, përmes manipulimeve të saj, ta paraqesë statutin dhe qëndrimet politike të Lëvizjes Popullore të Kosovës – një nga burimet themeltare të UÇK-së – si dokumente që pasqyrojnë qëllime kriminale dhe thirrje për dhunë.
“Statuti i LPK-së këtu, të cilin e shihni në ekranin tuaj, e bënte të qartë se objektivi i saj ishte, së pari, çlirimi dhe krijimi i një shteti të pavarur të Kosovës dhe, së dyti, krijimi i një shoqërie të re, të lirë dhe demokratike, në përputhje me vullnetin e popullit. Në statutin e LPK-së nuk ka asnjë sugjerim se objektivi i saj ishte marrja e pushtetit për vete apo për anëtarët e saj. Zyra e Prokurorit shkëput një fjali nga konteksti që thotë: “Kosova do të jetë e jona ose do të bëhet hi”. Por pjesa tjetër e tekstit e bën të qartë se “Kosova do të jetë e jona” i referohet popullit të Kosovës në përgjithësi dhe jo anëtarëve të pretenduar të NPK-së. Dhe më pas Deklarata Politike Nr. 8 përfundon duke thënë: “Lufta jonë është për liri, për një të ardhme më të mirë dhe për demokraci të vërtetë”, Luka Misetic, avokat i Hashim Thaçit.
Kjo prokurori nuk synon vetëm dënimin dhe kriminalizimin e UÇK-së si organizatë që iu kundërvu regjimit kriminal të Serbisë së Millosheviçit. Me këtë qasje, ajo kërkon që të prangoset edhe vetë mendimi dhe aspirata e popullit për liri e pavarësi.








