180 vjet burgim në tërësi, nga 45 vjet për secilin, kërkoi Prokuroria Speciale në Hagë dënim për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Në fjalët e saj përfundimtare, Prokuroria dëshmoi edhe një herë përpjekjen e saj për ta akuzuar dhe dënuar krejt UÇK-në, duke e portretuar atë si kriminale në qëllimin e krijimit dhe në krejt ekzistimin e saj.

Por, nëse ndaj ish-krerëve të UÇK-së kërkohet ky dënim gati dy shekullor, atëherë për çfarë standardesh të drejtësisë bëhet fjalë, kur kemi parasysh vendimet për ish-zyrtarët e lartë shtetërorë, ushtarakë dhe policorë serbë, të gjykuar për krime lufte në Tribunalin për ish-Jugosllavinë?

Të njëjtit kishin pushtet institucional, komandë shtetërore dhe përgjegjësi direkte për krime në Kosovë, përfshirë mijëra vrasje, dëbime masive dhe shkatërrim të pronës.

Nikola Sainoviç, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë dhe përfaqësues i posaçëm i Sllobodan Milosheviç-it për Kosovën, u dënua fillimisht me 22 vjet burgim, por më pas Apeli ia uli dënimin në 18 vjet.

Dragoljub Ojdaniç, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, u dënua me 15 vjet burgim.

Nebojsha Pavkoviç, Komandant i Ushtrisë së Tretë të Ushtrisë Jugosllave, e cila vepronte në Kosovë, u dënua me 22 vjet burgim.

Vladimir Lazareviç, Komandant i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë Jugosllave, u dënua me 15 vjet burgim, ndërsa Apeli ia uli dënimin në 14 vjet.

Sreten Lukiç, Shef i shtabit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, u dënua fillimisht me 22 vjet burgim, ndërsa Apeli ia uli dënimin në 20 vjet.

Vlastimir Xhorxheviç, ndihmës-ministër i Punëve të Brendshme të Serbisë dhe shef i Departamentit të Sigurisë Publike, u dënua me 27 vjet burgim, por Apeli ia uli dënimin në 18 vjet.

Me kërkesën për 180 vjet dënim për krerët e UÇK-së, u vërtetua qartë se Prokuroria ka shkelmuar çdo standard të drejtësisë dhe se synimi i saj nga projekti akuzues i Jack Smith është përndjekja politike e katër figurave të UÇK-së dhe rishkrimi i historisë së Kosovës.