Mospërfillëse dhe manipuluese.
Kështu dukej letra e Kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, drejtuar Kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, si përgjigje ndaj Rezolutës që deputetët e votuan si kërkesë për respektim të të drejtave të të akuzuarve në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, veçanërisht atij ndaj krerëve të UÇK-së.
Mospërfillëse ishte sepse shqetësimet serioze të Kuvendit që e themeloi këtë gjykatë, institucionin që përfaqëson popullin e Kosovës, në emër të të cilit Specialja thirret kur shpall aktgjykime, Trendafilova i trajtoi me nja 8 fjali krejt sipërfaqësore.
Kryetarja e Speciales u mjaftua vetëm të rendisë bazën ligjore mbi të cilën punon kjo gjykatë, e ku specifikohen edhe të drejtat e të akuzuarve.
Një burokraci dhe mungesë respekti e transparence – diçka që e ka karakterizuar këtë gjykatë vazhdimisht.
Kjo letër e Trendafilovës ishte edhe një mospërfillje ndaj shqetësimeve të qindra e mijëra shqiptarëve për shkeljen e të drejtave të krerëve të UÇK-së, të shprehur në marshe masive në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Hagë e Strasburg.
Ndërkaq, manipuluese ishte sepse, duke përmendur ligje, Kushtetutën e Kosovës dhe konventat evropiane, tentoi ta mjegullojë gjendjen faktike, duke mos dhënë llogari. Si fillim: pse krejt UÇK-ja, secili ushtar i saj, akuzohet si ndërmarrje kriminale e përbashkët?
Pse procesi ndaj krerëve të UÇK-së zgjati kaq shumë?
Pse ata u mbajtën kaq gjatë në paraburgim dhe kurrë nuk u liruan të mbrohen në liri – as kur policia e Kosovës garantoi mbikëqyrje?
Pse nuk u filtruan provat nga Serbia?
Pse u mbajt kaq shumë i mbyllur procesi dhe pse gjyqtarët nuk sfiduan prokurorinë, por përmes pyetjeve hipotetike e spekuluese, i mbajtën anën palës akuzuese dhe sfiduan dëshmitarët – duke krijuar kështu përshtypjen se procesi ishte i anshëm dhe se prezumimi i pafajësisë nuk po respektohet?
Në fakt, kjo mospërfillje ndaj institucionit që e themeloi, ky mosrespekt ndaj shtetit të Kosovës, i shkon shumë për shtati asaj. Sepse që nga fillimi, sidomos prapa dyerve të mbyllura, reagonte me qasje të tillë.
Vox Kosova raportoi në gusht të vitit të kaluar se në një takim me ambasadorët e Bashkimit Europian, të mbajtur më 7 dhjetor të vitit 2020, Trendafilova u pyet për një seancë – ku avokati i Hashim Thaçit e shpreh habinë që në sallën e gjyqit s’ka as flamur, e as simbole të Kosovës.
“Unë e them Gjykatë e Kosovës, por nuk ka këtu asgjë të Kosovës, nuk ka asnjë emblemë të Kosovës. Nuk e di pse jo”.
Për këtë sekuencë, Trendafilovës i kërkohet një përgjigje nga ambasadori gjerman.
“Pse flamuri dhe simbolet e Kosovës nuk shfaqen në Gjykatë, siç ka pyetur avokati i Thaçit?”.
Përgjigja e Trendafilovës ishte krejtësisht skandaloze: kërcënuese për mbrojtjen dhe fyerje për shtetin e Kosovës. Ajo deklaronte se kjo pyetje as nuk duhet të shtrohet, sepse përbën provokim.
“Avokati i Thaçit e testoi dhe e provokoi gjyqtarin, me qëllim krijimin e një debati politik në Kosovë që delegjitimon Dhomat e Specializuara. Gjyqtari i Procedurës Paraprake ishte i sjellshëm dhe i respektueshëm kundrejt tij (avokatit), diçka që nuk do të ndodhë më në raste të tjera nëse ngritet (si çështje) prapë”.
Kur kishte kaluar një vit prej kur krerët e UÇK-së ishin në paraburgim, nuk kishte nisur gjykimi dhe as që ishte gati të niste, Trendafilova, në një intervistë për Klan Kosova, me përgjigje krejt sipërfaqësore natyrisht, në një moment u betua në hirin e nënës së saj se gjykata nuk ndikohet aspak nga politika.
“Nuk dua të flas ashpër sepse nuk dua që të kthehem te ajo që ju tregova për nënën time, por mund të betohen në hirin e saj. Kurrë”.
Por, pas gati 6 vjetësh proces, në çka betohet ajo se gjykimi nuk ishte një përndjekje politike, se nuk cenoi të drejtat e njeriut, nuk shkundi standardet e drejtësisë ndërkombëtare dhe nuk po tenton ta ndërrojë thellësisht të vërtetën për luftën e popullit të Kosovës për liri e pavarësi?
Ajo që dihet qartë tash e sa kohë, çfarëdo që të jetë verdikti për krerët e UÇK-së, ky proces dhe kjo gjykatë do të mbahen mend për padrejtësitë, duke minuar besimin në drejtësi, në vend që ta forcojnë atë.








