Nol Dedaj, ish-Kryesues i Bordit të Drejtorëve në TrainKos, ka thënë se vagonët kanë mundur që të dërgohen për riparim edhe në Kroaci, Bullgari e Turqi, derisa dërguarjen e tyre në Serbi e ka quajtur “të papranueshme”.

“Kjo kontrollë ka mujtë me u kry në Kroaci, Bullgari dhe Turqi, por menaxhmenti paska vendosë me i dërgu në Serbi. Ky veprim është i papranueshëm për menaxhment”, ka shkruar Dedaj në Facebook.

Dedaj ka treguar se në vitin 2023, në cilësinë e Kryesuesit të Bordit të Drejtorëve, ishte angazhuar që vagonët e trenit të mos jenë në qarkullim pa u përfunduar kontrolli gjeneral, duke shtuar se pas datës 1 tetor vagonët nuk është dashur që të jenë në qarkullim.

“Në atë kohë jam marrë personalisht me këtë problem duke hulumtuar afatin kohore të skadimit 5 vjeçar të kontrollit gjeneral të vagonëve, hulumtimit të dokumentacionit së bashku me bordin i kemi zgjatë afatin kohore të qarkullimit të vagonëve deri më 01.10.2023, pas kësaj datë këta vagonë nuk është dashtë të jenë në qarkullim”, tha ai.

Pas marrjes së këtij vendimi, Dedaj theksoi se kanë hulumtuar se në cilin shtet kanë mundur t’i dërgojnë vagonët për kontroll gjeneral. “Vendet ku ju ka krye kontrollet gjenerale më parë kanë qenë Kroacia, Bullgaria, Turqia, por edhe Serbia ka qenë vend ku kryet kjo kontroll”.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, konfirmoi të hënën e 24 gushtit se vagonët e trenave të Kosovës janë dërguar për riparim në Serbi. Ajo, në një postim në Facebook, tha se për herë të parë, ata për këtë procedurë janë dërguar në Serbi në vitin 2017.

Kompania e cila fitoi tenderin prej 423 mijë eurosh për vagonët që i dërgoi në Serbi, është Profitech.

Përveç këtij, Profitech ka fituar edhe tenderë të tjerë që nga maji i vitit 2024, në vlerë qindra mijëra euro.