Kompanisë “Profitech Sh.P.K.”, që fitoi tenderin prej 423 mijë eurosh për riparimin e pesë vagonëve dhe që më pas i dërgoi në Serbi, ka vazhduar të jetë fituese edhe në disa tenderë të tjerë nga Ndërmarrja TrainKos, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë.

I fundit që ka fituar është para pak ditësh, më 17 gusht, në vlerë prej rreth 26 mijë e 900 eurosh, për furnizim me pajisje dhe pjesë rezervë dhe mirëmbajtje të mjeteve lëvizëse.

Para tij, në korrik 2026, fitoi tender prej rreth 18 mijë e 600 eurosh për furnizim me papuçe frenuese për lokomotiva.

Një tender për ndërrimin e rrotave të një lokomotive, “Profitech” e fitoi po në korrik të vitit 2026, në vlerë prej 97 mijë e 390 eurosh.

Në nëntor të vitit 2025, kapi një tender prej rreth 16 mijë eurosh për furnizim me bateri për vagonë.

Për furnizim me module kontrolli për lokomotiva, në maj 2025, “Profitech” mori tender prej rreth 6 mijë e 400 eurosh.

Në maj 2025 e mori edhe një tender nga TrainKos, në vlerë prej 97 mijë eurosh, për ndërrim të rrotave të një lokomotive.

Ndërkaq, në nëntor 2024, mori 14 mijë e 400 euro për furnizim me pajisje dhe pjesë rezervë.

Kontrata për riparimin e vagonëve në Serbi, për “Profitech”, u dha në muajin maj 2024, pak muaj pas sulmit në Banjskë nga terroristët serbë, të udhëhequr nga krimineli Milan Radojçiq dhe të lidhur ngushtë me pushtetin në Beograd.

Kur këta vagona u lëshuan në qarkullim, në korrik 2026, Ministrja Rizvanolli i prezantoi me pompozitet. Por, e fshehu vendin e riparimit.

Një punëtor i TrainKos, Asdren Ademi, i komentoi në postimin në Facebook, duke kërkuar që “t’i tregojnë popullit që janë riparuar në Serbi”.

Menjëherë ndaj tij kishin nisur masa ndëshkuese nga kryeshefi i TrainKos, Agron Statovci.

Kontrata për riparimin e vagonëve ka ngjallur dyshime të mëdha në procedura.

Ministrja Artane Rizvanolli është përpjekur ta kamuflojë pak situatën.

“Përzgjedhjen e nënkontraktorit në Serbi nuk e ka bërë Trainkosi. Në fakt, sipas ligjit aktual të Prokurimit Publik, ndërmarrja publike nuk mund të ndërhyjë në përzgjedhjen e nënkontraktorëve. Operatori privat fitues i tenderit ka deklaruar se vetëm nënkontraktori i përzgjedhur mund t’i riparonte vagonët”, tha ajo të martën.

Por, nga dosja e tenderit u kuptua se nënkontraktori ishte kriter i obligueshëm dhe shteti e dinte qysh në muajin prill ose maj se riparimi do të ndodhte në Serbi.

Në kontratën me “Profitech” nuk shkruan askund kush është nënkontraktori – në këtë rast, “Sinvoz” në Serbi.

Në Rregulloren për Prokurimin Publik është i ndaluar nënkontraktimi gjatë ekzekutimit të kontratës.

Nga deklarimet e ministres del se punëkryesi kryesor, në realitet i gati 100% të punëve, ka qenë “Sinvoz” në Serbi.

Rregullorja e Prokurimit specifikon qartë se nënkontraktori nuk bën të tejkalojë 40% të vlerës së kontratës, punëve dhe mjeteve financiare.

TrainKos, çuditërisht, ka thënë se nuk e paska ditur se vagonët do të shkojnë në Serbi.

Në një reagim të martën, ata shkruajnë sikur ta kishin ditur vetëm pasi e ka marrë vesh edhe publiku.

“Pas deklaratave të publikuara sot në media, ndërmarrja ka kontaktuar operatorin “Profitech Sh.P.K.” për të marrë zyrtarisht informatat në vijim: Cila është arsyeja që vagonët janë dërguar në Zrenjanin për riparim? A është dashur të merret leje prej dikujt për dërgimin e tyre atje? A ka qenë e mundur të evitohet dërgimi i tyre atje?

Operatori Ekonomik ka njoftuar ndërmarrjen “Trainkos” si në vijim: Sepse vetëm ata mund t’i rregullojnë këta vagonë. Ne njoftojmë doganën paraprakisht dhe kalojnë përmes Maqedonisë për në Serbi. Jo, nuk ka pasur mundësi, pasi që nuk mund të rregullohen diku tjetër”, kanë shkruar nga Termokos.

Por, në të vërtetë, TrainKos e dinte qysh në vitin 2024 se ata ishin në Serbi, sepse për këtë kishte dërguar atje një komision mbikëqyrës të punëve.