Ndërmarrja ‘TrainKos’, e cila para pak ditësh, ndër të tjera, u zbulua se kishte dhënë një tender me procedurë të dyshimtë për dërgimin e vagonëve në Serbi – me aprovimin e Qeverisë – ka vite që nuk është audituar nga Zyra Kombëtare e Auditimit.
Kjo ndërmarrje është audituar nga viti 2016 deri në vitin 2022, por që nga ky vit, Zyra e Auditorit, e cila auditon ministritë dhe institucionet e tjera, nuk e ka kontrolluar këtë institucion.
Nga Zyra e Auditorit i kanë thënë VOX Kosova se nuk e kanë obligim ligjor ta bëjnë auditimin e përvitshëm.
“ZKA nuk është e obliguar të auditojë edhe ndërmarrjet publike çdo vit. Në përputhje me nenet 18 dhe 20 të ligjit, auditimet planifikohen përmes Planit Vjetor të Auditimit, bazuar në mandatin dhe prioritetet e ZKA-së”, kanë deklaruar nga ZKA-ja.
Sipas tyre, planifikimi bazohet në një kombinim të një numri analizash që përfshijnë vlerësimin e rrezikut, madhësinë e subjektit, materialitetin, rëndësinë e subjektit, si dhe kapacitetet dhe prioritetet e auditimit të ZKA-së.
“Para çdo fillimi të sezonit auditues, ZKA planifikon Ndërmarrjet Publike që do t’i nënshtrohen auditimit dhe, sipas afateve kohore, e njofton secilën ndërmarrje dhe Qeverinë, si aksionare, nëse janë të përfshira në auditim apo jo. Mos-përfshirja e TrainKos-it, por edhe e ndërmarrjeve të tjera potenciale në programin e auditimeve për vitet 2024 dhe 2025, është rezultat i këtyre analizave dhe arsyeve të përcaktuara me legjislacionin e sipërpërmendur”.
ZKA ka theksuar se, në rastet kur një ndërmarrje publike nuk mbulohet drejtpërdrejt me auditim nga ZKA-ja, pasqyrat e saj financiare vjetore i nënshtrohen auditimit të jashtëm.
Përveç 423 mijë eurove për riparimin e pesë vagonëve, TrainKos ka dhënë një tender prej rreth 63 mijë eurosh për bartjen e këtyre vagonëve nga Hani i Elezit në stacionin në Gurëz të Ferizajt.
Kompania Profitech, e cila mori tenderin prej 423 mijë eurosh për vagonët dhe i dërgoi ata në Serbi, te Sinvoz, ka marrë edhe shtatë tenderë të tjerë që nga maji i vitit 2024.
Për dërgimin e pesë vagonëve në Serbi, shteti është përpjekur të arsyetohet me faktin se kompania u kishte thënë se riparimi mund të kryhej vetëm në Serbi.









