Ndërmarrja TrainKos, e cila është nën varësi të Ministrisë së Ekonomisë, në qershor të vitit 2024, kishte angazhuar dy serbë nga qyteti i Nishit për testimin e disa lokomotivave dhe ardhjen e tyre, kjo ndërmarrje publike, kishte tentuar që ta mbajë të fshehtë, kishte raportuar Albanian Post në vitin 2024.

Atë kohë, zëdhënësi i “Trainkos”, Behxhet Haziri, e kishte pranuar se aty kanë qenë dy serbë me kërkesë të tyre, por kishte refuzuar të tregonte se kush ishin ata.

Një-ish punëtor i kësaj ndërmarrje, Haxhi Xhemajli, kishte treguar se kur e ka kuptuar këtë, menaxhmenti e ka larguar nga puna.

“Unë si përgjegjës i sigurimit jam interesuar ta dija çka është duke ndodhur aty. Edhe ata e kanë vërejtur që e kam shkruar unë aty edhe më janë gjuajtur me presion. Tash ma kanë ndërprerë kontratën krejt, pse unë kam shkruar emrat në fletore të punës”, thoshte atë kohë Xhemajli.

Disa muaj më vonë, në tetor të 2024-së, historia përsëritet. Edhe një tjetër punëtor u përball me masa pasi foli për veprimet e “Trainkos”-it, këtë herë për vagonët që i menaxhon shteti i Kosovës e i riparon në Serbi.

“Është mirë me i tregu popullit se me pare të popullit janë renovuar në Serbi”, ky koment në faqen e Ministrisë së Ekonomisë i ka kushtuar jo pak një punëtori të Ndërmarrjes Publike TrainKos.

Asdren Ademi, komentin e kishte bërë në korrik, kur Ministria informoi për vënien në funksion të disa vagonëve të restauruar.

Menjëherë ka reaguar kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Agron Statovci.

Në një email të siguruar nga VOX Kosova, Statovci u kërkon vartësve të tij që ta marrin punëtorin Ademi në pyetje për komentin.

Kryeshefi urdhëron që, deri në kryerjen e procedurave, Ademit t’i ndalohet marrja e pushimit ditor apo vjetor.

Por, Ademi kishte të drejtë.

Sipas një dokumenti të kompanisë, thuhet se ndërmarrja ishte në vizitë në Serbi dhe vagonët i renovoi atje.

“Më datën 06.10.2024 kemi bërë udhëtim për Serbi në punëtori remontuese Shin Voz d.o.o., në qytetin e Zrenjaninit të Serbisë. Komisioni, sipas vendimit nr. 472 të datës 21.09.2024, ka filluar punën në punëtorinë remontuese Shin Voz d.o.o. në Zrenjanin më datë 07.11.2024, duke filluar me testimin, sipas Udhëzimit 266, në vagonët në të cilët është kryer Riparimi i Mesëm (R.M.). Është konstatuar se vagonët e poshtëshënuar janë të dy (2) serive”, thuhet në një raport që e ka siguruar VOX Kosova.

Pra, brenda disa muajsh, në vitin 2024, TrainKos, fillimisht ka angazhuar dy serbë për të testuar disa lokomotiva, ndërsa më pas, i ka riparuar vagonët në Zernjanin të Serbisë.

Madje, riparimi i vagonëve në Serbi kishte ndodhur pas sulmit terrorist në Basnjë të Zveçanit, ku kishte mbetur i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.