Sabit Berisha, një nga anëtarët e Komisionit të TrainKos që shkoi në vizitë në Serbi në vitin 2024, në Zrenjanin, për të parë testimin dhe riparimin e vagonëve nga Kosova – më herët ka qenë dënuar në vitin 2017 nga Gjykata Themelore për keqpërdorim të informatës zyrtare.
Sipas aktakuzës, Berisha kishte kontaktuar operatorin ekonomik “Gradelj” në Kroaci, e cila kishte qenë në procedurë tenderimi.
Përmes emailit zyrtar, Berisha, në cilësinë e shefit të mirëmbajtjes së lokomotivave në Hekurudhat e Kosovës “Trainkos” SH.A., i kishte dërguar këtij operatori specifikat e tenderit para se të bëhej shpallja publike e tenderit.
Aktakuza theksonte se, në këtë mënyrë, i pandehuri i kishte krijuar përparësi kësaj kompanie, krahas kompanive të tjera ofertuese.
Në bazë të kësaj, ai akuzohej se kishte kryer veprën penale “keqpërdorim i informatës zyrtare”, nga neni 432 i KPRK-së.
I akuzuari Sabit Berisha, në vitin 2017, pasi edhe kishte pranuar fajësinë, nga Gjykata Themelore në Prishtinë është dënuar me një vit burgim me kusht, si dhe me një mijë euro gjobë, për keqpërdorim të informatës zyrtare.
Gati dhjetë vjet më pas, në vitin 2024, Berisha ka udhëtuar për në Serbi, bashkë me dy zyrtarë të tjerë të TrainKos, për të bërë testimin dhe për të parë riparimet në pesë vagonë nga Kosova.

Bashkë me të udhëtuan edhe Faik Bugujevci, si kryetar i Komisionit, dhe Nazmi Zeqiri.
423 mijë euro, e konfirmuar edhe nga Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i dha Qeveria e Kosovës për këtë projekt.
Qeveria, e as TrainKos, nuk treguan për vendin e riparimit.
Për këtë tregoi një punëtor në TrainKos, Adren Ademi.
“Është mirë me i tregu popullit se me pare të popullit janë renovuar në Serbi” – është komenti që Ademi la në faqen e Ministrisë së Ekonomisë.
Kjo i kushtoi atij.
Asdren Ademi komentin e kishte bërë në korrik, kur Ministria informoi për vënien në funksion të disa vagonëve të restauruar.
Menjëherë ka reaguar kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Agron Statovci.
Në një email të siguruar nga VOX Kosova, Statovci u kërkon vartësve të tij që ta marrin punëtorin Ademi në pyetje për komentin.
Kryeshefi urdhëron që, deri në kryerjen e procedurave, Ademit t’i ndalohet marrja e pushimit ditor apo vjetor.









