Departamenti Zviceran i Punëve të Jashtme ka konfirmuar për VOX Kosova organizimin e takimeve diskrete mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e shtetit të Zvicrës, por nuk ka treguar nëse zëvendëkryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, zhvilluan takime të fshehta në qytetin zviceran të Soloturnit, siç raportoi gazeta prestigjioze zvicerane  “Neu Zürcher Zeitung”.

Lea Zurcher, zëdhënëse për media në këtë Departament, ka thënë se organizime të tilla bëhen dy-tri herë në vit në bashkëpunim me organizatën jo-qeveritare “Council for Inclusive Governance”.

“Që nga viti 2015, Divizioni për Paqe dhe të Drejta të Njeriut i DFPJ-së, së bashku me OJQ-në Këshilli për Qeverisje Gjithëpërfshirëse, ka organizuar shkëmbime të rregullta që përfshijnë përfaqësues të partive kryesore politike nga të dyja vendet”, ka thënë Zurcher për VOX Kosova.

Ajo ka deklaruar se ndonëse këto takime organizohen në mënyrë diskrete ato “nuk janë sekrete”. Por, nuk i është përgjigjur pyetjeve të redaksisë për pjesëmarrësit e këtyre sesioneve negociuese.

Më herët gjatë ditës, gazeta zvicerane NZZ raportoi se takimi i fundit i këtij formati është mbajtur muajin e kaluar. Madje, sipas NZZ, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë befasuan me bisedën e tyre “shumë familjare”.