Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi  dhe Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, zhvilluan takime të fshehta në qytetin zviceran të Soloturnit, me ndërmjetësimin e Qeverisë së këtij shteti, raporton gazeta prestigjioze “Neu Zürcher Zeitung“. Këto takime i ka konfirmuar edhe Departamenti zviceran për Punë të Jashtme.

Takimi i fundit që është mbajtur hiç më larg se muajin e kaluar. Madje, sipas NZZ, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë befasuan me bisedën e tyre “shumë familjare”.

“Një politikan i lartë kosovar dhe një politikan i lartë serb ecën së bashku nëpër qytetin e vjetër të Solothurnit drejt hotelit të tyre pas darkës… Në planin publik, në të dyja anët dominojnë qëndrimet e ashpra. Por në qytetin e vogël zviceran, përfaqësuesit e të dyja palëve flisnin me njëri-tjetrin aq familjarisht, saqë kjo befasoi edhe ata që e njohin mirë konfliktin”, shkruan gazeta “Neu Zurcher Zeitung”.

Qeveria e Kosovës nuk ka njoftuar asnjëherë për këto takime e as nuk ka dhënë ndonjë informacion zyrtar për përmbajtjen e këtyre diskutimeve.

Bisedimet e Soloturnit janë takime diskrete larg kamerave, që organizohen dy deri në tri herë në vit. Qëllimi i tyre është normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Për to është raportuar për herë të parë nga “NZZ am Sonntag” në vitin 2022, por deri tani nuk dihej se në to merrnin pjesë akterë të lartë politikë nga Kosova dhe Serbia.

“Zvicra i nisi këto bisedime konfidenciale. Si qytet i vogël, Solothurni ofron hapësirë për diskutime diskrete dhe të sinqerta larg kamerave”, ka thënë për NZZ, Roland Salvisberg, shefi i seksionit përgjegjës në Divizionin për Paqe dhe të Drejta të Njeriut në Departamentin për Punë të Jashtme në Zvicër.