Në një vend ku Qeveria paralajmëron çdo vit dimër të vështirë dhe ngrohja e shtëpive e vë në pikëpyetje stabilitetin e furnizimit me energji, ministrat dhe zyrtarë të tjerë institucionalë flasin për ndërtime të Qendrave të të Dhënave të Inteligjencës Artificiale, kapaciteti absorbues i të cilave me energji është sa krejt nevojat e Kosovës.
Madje, edhe ujë kërkojnë aq shumë sa mund të vështirësojë furnizimin, edhe ashtu shpesh në krizë, për shumë qytetarë.
Qendrat e të dhënave për AI janë ekonomia e kohës dhe për to po zhvillohen beteja të forta mes fuqive të planetit, SHBA-së dhe Kinës.
Ndërtimi i tyre në SHBA, i shtyrë kryesisht nga republikanët, konsiderohet se ndikoi në rezultatin e zgjedhjeve për Senat e Kongres, pasi shumë qytetarë janë kundër tyre.
Qendrat e të dhënave të inteligjencës artificiale janë objekte gjigante të mbushura me mijëra kompjuterë dhe çipa të specializuar që shërbejnë si “motori” ku funksionojnë programet e inteligjencës artificiale. Këta kompjuterë kryejnë miliarda llogaritje në sekondë, prandaj harxhojnë sasi shumë të mëdha të energjisë elektrike dhe kanë nevojë për sisteme të posaçme ftohjeje që pajisjet të mos mbinxehen.
Në Kosovë, për një qendër të tillë, thuhet se punimet në terren kanë nisur diku në Ferizaj nga një kompani e quajtur Dardania AI, dhe kjo, menjëherë pas disa takimeve në Qeveri.
Një tjetër po përmendet edhe në Viti.
Në qershor të këtij viti, Mimoza Kusari-Lila, në një postim të saj në rrjetet sociale, njoftoi për një takim me një grup biznesmenësh dhe përfaqësuesish të kompanive të teknologjisë.
“Diskutuam për planet e kompanisë lidhur me projektin strategjik për ndërtimin e AI Factory në Kosovë, si një qendër moderne e të dhënave e pajisur me teknologjinë më të avancuar të inteligjencës artificiale. Ky projekt parashikon një kapacitet prej 1.2 GW, duke e bërë atë të parin të këtij lloji në rajon dhe në Evropën Qendrore”, shkroi ajo pas një takimi me udhëheqësit e kompanisë amerikane Dardania Capital dhe partnerët e tyre nga NVIDIA dhe Hercules Capital - Albion Çalaj, Jim Chapman, Francesco Torricelli, Jon Kondo, Roy Liu, Mira Pogaci dhe Faton Gjuka.

“Përrallë me tupan”
Por Bleron Baraliu, një shqiptar nga Kosova që jeton në Amerikë dhe punon atje me teknologji, përfshirë edhe inteligjencën artificiale, e quajti këtë nismë “përrallë me tupan”.
“Përralla me tupan Mimoza! As nuk mundet Kosova me mbështetë (me rrymë) një projekt të tillë, as nuk ka praktitet ekonomik një data center gjigante e këtillë në Kosovë. Me pas thanë 20MW, ndoshta kisha besu, pra 1/50 e kësaj që po e reklamon...”, i replikoi ai Kusari-Lilës në postimin e saj.
Madje, Baraliu i solli asaj një përgjigje rreth projektit nga vetë inteligjenca artificiale, e cila ballafaqon realitetin energjetik në Kosovë me ambicien për një qendër të tillë.
“Kërkesa maksimale e përgjithshme për energji elektrike në Kosovë zakonisht sillet rreth 1.2 deri në 1.4 GË gjatë konsumit maksimal në dimër. Sigurimi i 1.2 GW vetëm për një qendër të të dhënave do të kërkonte dyfishimin brenda natës të të gjithë prodhimit të energjisë të vendit. …Shtylla kurrizore energjetike e Kosovës mbështetet në dy termocentrale të vjetruara me qymyr dhe famëkeqe për pasigurinë e tyre (Kosova A dhe Kosova B). Vendi tashmë përballet me ndërprerje të rregullta të energjisë elektrike dhe detyrohet të shpenzojë miliona për të importuar energji të shtrenjtë gjatë orëve të pikut. Një qendër e të dhënave kërkon 99.999% funksionim të pandërprerë; lidhja e saj në rrjetin aktual të Kosovës do ta rrëzonte menjëherë sistemin”, thuhej, ndër të tjera, në këtë përgjigje që e sjell Baraliu.
Aty përmendet si mundësi që një qendër e tillë të mund të funksiononte në mënyrë stabile vetëm nëse ndërtohen nga zero parqe gjigante diellore, gazsjellës ose sisteme të ruajtjes me bateri, por - për shkak të shumë proceseve rreth këtyre - thuhet se kjo e bën procesin ende spekulativ.

Kosova aktualisht ka mungesë të theksuar prodhimi të energjisë, në veçanti në kohë dimri kur konsumi është i madh. Si pasojë e mungesës së investimeve dhe prodhimit, vendi është detyruara të investojë mbi 1 miliard euro për pesë vjet në import të energjisë.
Faturat e energjisë për qytetarët u rritën dy herë brenda mandatit të kësaj qeverie.
Vitia Artificiale
I njëjti grup biznesmenësh vizituan në tetor edhe Vitinë dhe takuan kryetarin Sokol Haliti.
Komuna njoftoi se një qendër e të dhënave synohet të ndërtohet në Viti dhe se investimi do të hapte mbi 3 mijë vende pune.
“Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, mirëpriti pronarët e kompanisë DAiF SV L.L.C. dhe ekipin punues të projektit për zhvillimin e një qendre moderne të të dhënave dhe infrastrukturës së inteligjencës artificiale në Sllatinë”, thuhet në komunikatë.
“Sipas planeve të kompanisë, projekti parashikon investime miliardëshe për zhvillimin e një ‘AI Factory’, me teknologji të avancuar për përpunimin, ruajtjen dhe menaxhimin e të dhënave, duke synuar bashkëpunimin me kompani udhëheqëse të teknologjisë botërore. Me synim krijimin e mbi 3 mijë vendeve të reja të punës, realizimi i projektit do ta poziciononte Vitinë si një qendër të rëndësishme të ekonomisë digjitale dhe do të hapte mundësi për punësimin e të rinjve, angazhimin e profesionistëve dhe zhvillimin e bizneseve vendore”, deklaron komuna.

Kompania DAiF SV L.L.C., e përmendur nga Komuna e Vitisë, në ARBK figuron si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e regjistruar në komunën e Prishtinës, e cila merret me prodhim e tregtim të energjisë, por edhe me ndërtimtari.
“Kjo firmë, themeluar më 24 mars 2026, ka një kapital prej 10,000.00 € dhe ushtron aktivitete kryesore në prodhimin e energjisë elektrike. Kompania, me Albion Çalaj si drejtor menaxhues, përfshin gjithashtu transmetimin, tregtinë e energjisë elektrike dhe zhvillimin e projekteve ndërtimore”, shkruhet aty, teksa theksohet se ka vetëm një punëtor.
Sipas komunikatës nga takimi, më 26 tetor 2026, Kuvendi Komunal kishte miratuar vendimin për dhënien e pëlqimit institucional dhe mbështetjes komunale për investimin e propozuar. Por nuk u dhanë detaje se për çfarë pëlqimi konkretisht bëhej fjalë.
Themelet në Ferizaj, kriza e energjisë dhe uji
Pak më tutje se Vitia, në Ferizaj, kompania Dardania AI duket se ka nisur punimet dhe ka njoftuar se shumë prej lejeve obligative që kërkon shteti si procedura i ka marrë, ndërsa disa i kishte në proces.
Në faqen e saj, në gusht të këtij viti, njoftoi se ka nisur përgatitjen e terrenit për Fabrikën e Inteligjencës Artificiale në Ferizaj, ngjitur me Kampin Bondsteel.

“Dardania AI nisi punimet në terren për kampusin e saj të ‘Fabrikës së Inteligjencës Artificiale’ (AI Factory) në luginën e Ferizajt në gusht të vitit 2026. Gërmimet dhe nivelimi i sheshit janë në proces, ndërsa pllaka e themelit është dimensionuar për tërë kapacitetin prej 300 MË të Fazës 1, në mënyrë që blloqet e mëvonshme të shtohen mbi terren të përgatitur. Kampusi shtrihet në një parcelë të pandarë përgjatë korridorit R6, më pak se 1 km larg Kampit Bondsteel - instalimit më të madh ushtarak amerikan në Ballkan, dhe mbi korridorin e transmetimit të tensionit të lartë që do ta furnizojë atë”, thuhet në një komunikatë në ëebfaqen zyrtare të kompanisë.

Sipas tyre, disa leje janë në proces, ndërkaq vlerësimi paraprak mjedisor ka përfunduar dhe leja e ndërtimit është lëshuar.
“Analiza e mostrave të dheut u krye përpara fillimit të punimeve. Lejet e tjera mjedisore po trajtohen paralelisht me ndërtimin”.
Por, ku do ta marrë energjinë?
Kompania pretendon se nuk rrezikohet furnizimi vendor dhe se do të ketë kontrata me rajonin.
“Kontrata të dedikuara industriale për energji elektrike me prodhuesit e energjisë, duke shfrytëzuar furnizimin rajonal me kosto të ulët. Një furnizim i dedikuar me energji elektrike, i kontraktuar drejtpërdrejt, e mbron rrjetin kombëtar dhe i ruan konsumatorët nga rritja e tarifave dhe taksat e karbonit”, deklaron kompania ne faqen e saj.
Çipat në qendra të tilla kërkojnë edhe shumë ujë për ftohje. Kosova ka probleme të theksuara me furnizim me ujë.
Kompania thotë se ka një formë tjetër të ftohjes.
“Ftohje e drejtpërdrejtë e çipave. Një qark i mbyllur me përzierje glikoli dhe uji, i cili mbushet vetëm një herë. Nxehtësia largohet përmes ftohësve të thatë të vendosur jashtë, pa përdorur avullimin e ujit. Konsum minimal i ujit, pa kulla ftohëse. Nuk kërkohet furnizim i vazhdueshëm me ujë nga rrjeti publik dhe nuk ka humbje uji përmes avullimit”.
Kjo qendër, sipas kompanisë, synon të arrijë kapacitetin prej 300 MW në vitin 2028.
Kundërshtimi amerikan për këto qendra
Amerika po e udhëheq botën me qendra të tilla dhe me zhvillimin e inteligjencës artificiale. Ajo është në një garë të fortë me Kinën.
Por një garë të fortë, bizneset gjigante dhe vetë qeveria e Donald Trumpit e kanë edhe me qytetarët amerikanë.
Një sondazh i NBC-së zbuloi javë më parë se 56% e votuesve, në zgjedhjet e nëntorit për Senat e Kongres, thanë se inteligjenca artificiale dhe qendrat e të dhënave ishin një “faktor vendimtar ose madhor” në votën e tyre për Kongresin.
Demokratët kishin shpenzuar miliona dollarë për reklama televizive duke i paraqitur kundërshtarët e tyre republikanë si tepër të afërt me kompanitë e mëdha të teknologjisë dhe qendrat e të dhënave.
Kjo pati sukses, pasi ata fituan bindshëm në shumë prej atyre garave, përfshirë në Ohio, Kansas dhe Iowa.
Ndalime ose moratoriume për qendrat e të dhënave u miratuan në qarqe anembanë vendit, nga Edgeëater i Floridës deri në Bloomington të Illinois-it, ndërsa kryetarët e bashkive të Piqua-s në Ohio dhe Yukon-it në Oklahoma u shkarkuan me votë revokimi për shkak të mbështetjes së tyre të mëparshme ndaj projekteve të qendrave të të dhënave.
Sipas një sondazhi nga Blue Rose Research, të sjellë nga revista Time, amerikanët do të preferonin të jetonin pranë një burgu, një klinike metadone ose një centrali bërthamor sesa pranë një qendre të dhënash për AI. Shqetësimet ekzistenciale për AI-në janë rritur, thotë Ali Mortell, drejtor i hulumtimeve në këtë firmë, por ndikimet konkrete lokale të qendrave të të dhënave - përfshirë faturat më të larta të energjisë, zhurmën dhe shqetësimet mjedisore - ishin shumë më të spikatura.










