Avokatët e ish-Presidentit, Hashim Thaçi, në Hagë, kanë konstatuar se klienti i tyre ka vuajtur tanimë dënimin prej 1 viti e 7 muajsh burg të dhënë në rastin ku ai akuzohej për pengim të drejtësisë, duke qenë se ai është në paraburgim që një kohë më të gjatë. Kjo, përkundër se Gjykata në shpalljen e aktgjykimit, ka thënë se Hashim Thaçit nuk mund t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim në dy raste, edhe në atë për krime lufte edhe në këtë për pengim drejtësie.

“Mbrojtja vëren se, nëse z. Thaçi do të ishte kredituar për kohën e kaluar në paraburgim që nga njoftimi për fletarrestimin në rastin 12, dënimi i tij në rastin 12 do të konsiderohej i vuajtur dhe ai do të ishte liruar”, thotë Mbrojtja.

Në këto rrethana, avokatët e Thaçit në Hagë nuk do të dërgojnë më parashtresa për rishikimin e paraburgimit, por që do ta apelojnë aktgjykimin e datës 17 nëntor.

“Për rrjedhojë, Mbrojtja e z. Hashim Thaçi (“Mbrojtja”) njofton se, ndonëse nuk ka ndërmend të paraqesë sot parashtresa specifike lidhur me vazhdimin e paraburgimit të z. Thaçi, ajo rezervon të drejtën për të apeluar Aktgjykimin e Gjykimit, në përputhje me nenin 46 të Ligjit, përfshirë konstatimet e tij lidhur me bashkimin e mundshëm të çdo dënimi në rastin 12 me dënimin e shqiptuar në rastin 06, si dhe me llogaritjen e kohës së kaluar në paraburgim, para një trupi gjykues të Dhomës së Apelit të Gjykatës, në kohën e duhur”, thuhet në parashtresën e ekipit mbrojtës të Thaçit.

Parashtresa e avokatëve të Thaçit në Hagë.

Më 17 nëntor, Gjykatësi i vetëm dënoi Hashim Thaçin me një vit e shtatë muaj burg në rastin ku ai akuzohej për pengim të drejtësisë.

Në total, bashkë me akuzat për krime lufte, Gjykata e ka dënuar ish-Presidentin e Kosovës me 26 vjet e shtatë muaj burg.