Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, premtonte se do ta kthente Elez Blakajn në Prokurori, i cili kishte punuar më herët si prokuror në Kosovë. Por, Blakaj tashmë është i angazhuar në fushën e patundshmërisë, në kompaninë JB Goodwin Realtors në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Me Qeverinë e re pas zgjedhjeve të reja Elez Blakaj duhet të kthehet dhe do të kthehet në Kosovë. Në Istog, në Prishtinë dhe në prokurori”, thoshte Kurti.
Kurti, në formë ironie thoshte se duhej të shkonte Lumezi, duke iu referuar ish-Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, dhe të vinte Elezi, pra Elez Blakaj.
“Të kthehen dhe ata që kanë shkuar e sidomos prokurori Elez Blakaj. Le të ecë Lumezi, le të kthehet Elezi”, deklaronte ai.
Por, Blakaj, që ishte larguar nga Kosova pasi që kishte thënë se është përballur me kërcënime, nuk e ka ndërmend rikthimin në Kosovë.
Tashmë është i angazhuar në fushën e patundshmërisë, në kompaninë JB Goodwin Realtors në SHBA.
Në biografinë e publikuar në web-faqen e kompanisë tregohet se Blakaj kishte punuar për shumë kohë në sektorin publik në fushën e sundimit të ligjit.
“Para se të bëhesha agjent i patundshmërive, kam kaluar shumë vite duke shërbyer në sektorin publik, në departamentin e sundimit të ligjit. Kam përfunduar Fakultetin Juridik dhe kam diplomë master në Drejtësinë Penale nga Universiteti Ëake Forest në Karolinën e Veriut. Pasionet e mia në jetë janë arti dhe sporti!”, shkruhet aty.
“Si agjent i patundshmërive, gjithmonë e vlerësoj besimin që klientët e mi vendosin tek unë dhe çdo ditë përpiqem t’i tejkaloj pritshmëritë e tyre. Qoftë për shitjen, blerjen, dhënien me qira apo mundësitë e investimit në patundshmëri, do të mbështetem në përvojën time jetësore, vlerat dhe përkushtimin në punë për t’ju udhëhequr gjatë gjithë procesit, duke ju ofruar shërbim të ndershëm dhe profesional".











