Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar sqarime publike nga Policia e Kosovës, pasi që tha se është ndaluar vendosja e muralit të Nënës Terezë në kryeqytet dhe se arsyetimi i policisë për këtë ka qenë se urdhri ka ardhur nga lart.

“SKANDALOZE! Kujt i përgjigjet shteti ynë? Urdhrave politikë?!”, pyeti fillimisht Rama.

Rama theksoi se vendosja e muralit u pengua ndonëse Komuna e Prishtinës, që lëshon lejet për hapësirat publike në Kryeqytet, e kishte dhënë lejen për vendosjen e muralit.

“Sipas ekipit që po e vendoste muralin, përgjigjja e policit në vendngjarje ishte se urdhri kishte ardhur ‘nga lart’. Policia duhet ta sqarojë publikisht këtë deklaratë, ta identifikojë personin që dha urdhrin dhe ta bëjë publik vendimin mbi të cilin veproi!”, potencoi Rama.

Kush është “lart” në Kosovë, pyeti Rama. “Kush mund ta ndalë me një fjalë goje një punë për të cilën Komuna ka dhënë leje?”, vazhdoi ai.

Ai kërkoi llogari nga Policia e Kosovës se me çfarë vendimi u ndalua vendosja e muralit.

“Mbi cilën bazë ligjore? Kush e kërkoi ndërhyrjen dhe kush e urdhëroi? Kush bëri presion politik mbi Policinë?”, vazhdoi pyetjet i pari i Kryeqytetit.

Më herët, nga vendi i ngjarjes, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leotrim Retkoceri, për ndalimin e vendosjes së muralit e akuzoi Alban Krasniqin, burrin e Kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiut.

Murali parashihej që të vendosej në objektin e Ministrisë së Ekonomisë, e cila drejtohet nga Artane Rizvanolli, këshilltar i së cilës është Krasniqi.