Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka refuzuar që të përgjigjet në pyetjet e VOX Kosova në lidhje me takimin me ushtarakët serbë në kampin “Film City” në Prishtinë, duke thënë se ata i kanë ftuar “bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit” të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

“Më 26 nëntor 2026, në Kampin Film City në Prishtinë, u mbajt një takim i rregullt ndërmjet përfaqësuesve të Komisionit të Përbashkët për Implementim (JIC) të KFOR-it dhe homologëve të tyre nga Forcat e Armatosura të Serbisë (FAS)”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për VOX-in.

“Ky takim është pjesë e aktiviteteve të zhvilluara nga JIC, në bazë të Rezolutës 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Marrëveshjes Teknike Ushtarake. Këto marrëveshje afatgjata ofrojnë një kornizë të përcaktuar për ndërlidhje, komunikim, bashkëpunim dhe koordinim ndërmjet KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë, veçanërisht për çështjet që lidhen me Vijën Kufitare Administrative dhe nevojën për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet lokale”, shtuan ata.

Por, ata nuk janë përgjigjur se kush ishin përfaqësuesit e Forcave të Ushtrisë së Serbisë që morën pjesë në këtë takim – s’i kanë dhënë as emrat e tyre e as gradat ushtarake. Nuk kanë treguar as se kush e autorizoi vizitën e ushtarakëve serbë dhe si u mundësua as hyrja e tyre.

KFOR nuk tregoi as se a ishin të njoftuara institucionet e Kosovës e as kur kanë hyrë dhe përmes cilës pikë kufitare kanë hyrë në Kosovë ushtarakët serbë.

Nga misioni i NATO-s kanë theksuar se takime të tilla “janë rutinore”, të cilat, sipas tyre, synojnë “të sigurojnë informim të ndërsjellë dhe komunikim në kohë dhe efektiv”. “Gjatë viteve, këto takime janë mbajtur në lokacione të ndryshme, përfshirë edhe në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it”.

“KFOR-i mban komunikim të rregullt, transparent dhe të drejtpërdrejtë me të gjithë homologët e tij, përfshirë institucionet në Kosovë, organizatat e sigurisë në Kosovë, Forcat e Armatosura të Serbisë dhe organizatat ndërkombëtare. Kjo është thelbësore për të parandaluar keqkuptimet, për të zvogëluar rrezikun e tensioneve dhe për të trajtuar shqetësimet e mundshme të sigurisë. Një komunikim i tillë kontribuon në sigurinë afatgjatë në të gjithë Kosovën dhe në stabilitetin rajonal”.

ME EMËR E MBIEMËR Këta janë ushtarakët serbë që erdhën në Prishtinë – Qeveria s’po tregon se si u bë që iu dhanë leje të vijnë në kryeqytetMe emër e mbiemër, këta janë ushtarakët serbë që erdhën në Prishtinë – Nga Qeveria askush s’po tregon se si u bë që iu dhanë leje ushtarëve serbë të vijnë në kryeqytetin e Kosovës.