“Dimër i vështirë” po na pret...

Dhe dimri nuk do të zbutet as nga prezantimi i rrejshëm i projekteve në letër, siç bëri Albin Kurti me një raport prej 57 faqesh që e ka prezantuar në Facebook.

Aty kryeministri i ka ofruar si suksese të qeverisjes së tij nga viti 2021 projektet të cilat as nuk kanë filluar. Nuk ekzistojnë. Fare.

Për shembull, Projekti për ndërtimin e sistemeve të baterive për ruajtjen e energjisë elektrike paraqitet si sukses, por ky projekt nuk ka nisur...

Por, s’është rrena e vetme kjo, veç e para.

Ankandi Solar me 105 megavat...

Ky s’është projekt funksional.

As s’ka përfunduar ndërtimi e as nuk dihet nëse ndonjëherë do të përfundojë, përkundër se kanë kaluar vite prejse është shpall fituesi.

Po Ankandi i Erës me 100 megavatë?

Këtu s’ka filluar ndërtimi fare. Tek këtë muaj është thënë se u shpall fituesi.

Po parku solar i KEK-ut?

Asgjë as këtu.

Madje vetë nga Qeveria kanë premtuar se tek pas 2 vjetësh ka mundësi të fillojë prodhimi.

E ne e dimë çka ndodhë me premtimet e qeverisë.

Nga të gjitha këto, më e rënda vjen prezantimi në letër i kinse investimeve në Njësinë B1 të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Sepse bash tash kjo njësi është jashtë funksionit krejt.

Pra le që s’ka investim të përfunduar, por as nuk punon me kapacitet që i kishte ta zëmë para 10 vjete.

Por, nëse mendoni se ky prezantim i rrejshëm vlen veç për sektorin e energjisë, atëherë nuk e njihni mirë kreativitetin e qeverisë për të thirrur në ekzistencë gjëra fiktive.

Ja për shembull fabrika e parë e municioneve për të cilën u premtua fillim i prodhimit në fund të vitit 2026.

“Municionet e para nga kjo fabrikë do të dalin në fund të vitit 2026”.

Jo, fatkeqësisht jo.

Kjo fabrikë nuk ka as themele e leje të prodhojë plumba apo municion tjetër ushtarak.

Në këtë dokument me krijime imagjinare prezantohet edhe se... Kosova fitoi të drejtën e organizimit, ndamë 250 milionë euro investime për këtë ngjarje të parë multisportive të këtij niveli, dhe miratuam Ligjin për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Dështim.

Si mund të paraqitet si arritje e Qeverisë, kur Ministri i Sportit e edhe vetë Kryeministri e kanë pranuar se këto lojëra janë në prag të dështimit.

Në raport, krekosen edhe për hekurudhat. Prishtinë-Durrës, Fushë Kosovë-Klinë, Klinë-Prizren.

Kjo e pabesueshme krejt. Jo hekurudha të reja, po në Kosovë që dy javë s’ka qarkullim trenash hiç. Punëtorët janë në grevë.

E di. Duket krejt e pabesueshme se si Qeveria prezanton një raport të tillë dhe liston projekte që nuk ekzistojnë. Nuk janë askund.

I gjithë raporti kështu është. Çlirim i fantazisë pa kokëçarje për të vërtetën.

Kjo s’mund të quhet as veç gënjeshtër, sepse gënjeshtra presupozon njëfarë mbulese. Gënjeshtra ndërtohet në asi lloj forme që e ka njëfarë ngjashmërie sipërfaqësore me të vërtetën.

Por jo, tash kemi një shkëputje të atillë nga realiteti saqë diçka që nuk ekziston fare prezantohet si arritje e madhe qeveritare.