Shefja e deputetëve të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, shkoi e papërgatitur në Kuvend në seancën e së enjtes.

Kur Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ftoi Nagavcin si Kryetare të Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve për Bordin e RTK-së për ta paraqitur raportin para deputetëve, Nagavci, duke menduar se nuk po dëgjohej tha se nuk e kam raportin.

“O s'e kam raportin”, u dëgjua duke thënë Nagavci.

Më pas, Nagavci doli dhe tha se janë zhvilluar intervistimet e kandidatëve, por nuk kanë arritur që të sjellin në seancë kandidatë që i plotësojnë kriteret.

“Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve për Bordin e RTK-së dhe anëtarë nga komuniteti shqiptar, një anëtar nga komuniteti joshumicë joserb dhe një anëtar nga komuniteti joshumicë serb, ka zhvilluar intervistimet në përbërjen e vetë të plotë të Komisionit pra të miratuar, votuar në seancë. Vlen të përmendet se gjatë diskutimeve, gjatë intervistave që janë zhvilluar nuk kemi arritur që të kemi kandidatë që plotësojnë domethënë kriteret për t’u prezantuar këtu në seancë”.

Por, deputetja Ganimete Musliu e Partisë Demokratike të Kosovës, që është pjesë e këtij komisionit i tha se kandidatët janë tërhequr nga gara, gjë të cilën e pranoi pastaj Nagavci.

“Është mirë që të jemi të saktë kur raportojmë për punën e komisioneve parlamentare. Nuk është që nuk i kanë plotësuar kriteret kandidatët e shumicës shqiptare, por janë tërhequr të gjithë nga gara. Dhe nuk është paraqitur asnjëri prej tyre më intervistim”, theksoi Musliu.

“Për korrektësi ose nëse nuk e adresova si duhet është që nuk kemi kandidatë që mund t'i propozojmë këtu për anëtarin shqiptar. Është e vërtetë që ka pasë gjashtë aplikime që i kanë plotësuar kriteret, gjashtë kandidatë nga radha e kandidatëve shqiptarë, që i kanë plotësuar kriteret për të qenë pjesë e intervistave. Prej tyre njëri nuk është lajmëruar, në fakt është lajmëruar që nuk ka mundësi që të vijë sepse ka qenë jashtë vendit, ndonëse është njoftuar një javë më herët. Ndërkaq, pesë kandidatët tjerë nuk kanë marrë pjesë në intervistë fare”, tha Nagavci.