Nuk ka kaluar rezoluta nga interpelanca me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, në lidhje me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit që mbeti katër muaj pa terapi dhe mungesa e barnave onkologjike.

Kjo për shkak se Lëvizja Vetëvendosje, partia në pushtet, votoi kundër.

49 deputetë votuan kundër, 26 për dhe asnjë abstenim.

Kjo rezolutë ishte propozuar nga deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës (PDK), Sala Jashari.

Aty, ndër të tjera, i kërkohej Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës që të ndërmerrnin menjëherë të gjitha masat ligjore e administrative për të garantuar furnizimin e pandërprerë me barna nga lista esenciale, veçanërisht për pacientët e onkologjisë.

15 ditë pas miratimit të kësaj rezolute, i kërkohej Ministrisë së Shëndetësisë që të dorëzonte një raport të plotë për periudhën kohore 1 janar – 22 tetor 2026, ku do të përfshihej lista e barnave onkologjike që kanë munguar, kohëzgjatja e mungesave, numri i pacientëve të prekur, shkaqet e mungesave dhe statusi i procedurave të prokurimit.

Nuk është miratuar as rezoluta nga mocioni përmbajtësor mbi gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike, e cila ishte propozuar nga Aleanca.

Edhe për këtë VV-ja votoi kundër.

51 ligjvënës ishin kundër, 27 për dhe abstenim s’pati.