Majlinda Bregasi, ish-kandidate për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, është propozuar nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, për anëtare të Këshillit Kombëtar të Shkencës, gjë që edhe është miratuar në Kuvend.

Por, ky nuk është përfitimi i vetëm i saj nga institucionet e udhëhequra nga pushteti aktual.

Vetëm një muaj më parë, Bregasi ishte shpallur përfituese e 4 mijë e 500 eurove nga thirrja publike për projekt-propozimet në fushën e Artit dhe Kulturës për vitin 2026.

Ndërkohë, një vështrim në profilet e saj në rrjetet sociale shfaq një angazhim të dukshëm në mbështetje të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

Në publikimet e saj gjenden fotografi me anëtarë të kësaj partie, thirrje dhe mesazhe që përkojnë me narrativën politike të partisë në pushtet, si dhe shprehje të entuziazmit pas fitores së Vetëvendosjes në zgjedhje.

Në anën tjetër, Bregasi ka shprehur vazhdimisht qëndrime kritike ndaj partive opozitare.

Përkundër angazhimit të saj të mëparshëm politik dhe qëndrimeve publike, ministri Çeku e përfshiu emrin e saj në listën e 15 kandidatëve për Këshillin Kombëtar të Shkencës, përbërja e të cilit u miratua sot në Kuvendin e Kosovës.