Majlinda Bregasi, e cila ka qenë kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për deputete, është propozuar nga ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku, për anëtare të Këshillit Kombëtar të Shkencës.

Propozimi i saj është kritikuar në seancën e Kuvendit nga deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, e cila ka vënë në pah të kaluarën e saj politike si kandidate e partisë në pushtet.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, ka ngritur një tjetër shqetësim lidhur me listën e propozuar nga Çeku. Pa ia përmendur emrin, ai ka deklaruar se njëri nga kandidatët nuk e ka të përfunduar as nivelin e studimeve bachelor.

Në total, ministri Çeku ka propozuar 15 kandidatë për anëtarë të Këshillit Kombëtar të Shkencës:

  1. Alirizah Arenliu
  2. Arbnora Dushi
  3. Armond Daci
  4. Arvent Syla
  5. Besnik Krasniqi
  6. Emine Kalaja Hajdari
  7. Fetah Podvorica
  8. Ibrahim Krasniqi
  9. Majlinda Bregasi
  10. Mentor Alishani
  11. Mihane Kerolli Mustafa
  12. Mimoza Ibrani
  13. Mizafere Krasniqi Limani
  14. Tringa Dedi
  15. Valmir Krasniqi

Ndër anëtarët që u emërua është edhe rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Mentor Alishani. Ai është vëllai i Dafina Alishanit, e cila ka qenë bartëse e listës së kandidatëve për asamble të LVV-së për Komunën e Prizrenit për zgjedhjet komunale të 12 tetorit 2025. Aktualisht, Alishani është asambliste në Kuvendin Komunal të Prizrenit, ndërsa ka qenë edhe kandidate për deputete nga radhët e VV-së.