Në postimin e fundit që Armend Muja e ka bërë në Facebook, ku ka shpërndarë pjesën për bujqësi të raportit që publikoi Kryeministri Albin Kurti me të “arriturat” e qeverisjes së tij, bujqit e kanë vërshuar Ministrin e Bujqësisë me komente, ku, ndër të tjera, i përmendin vonesat e subvencioneve.

Duke shkruar për bujqësinë përgjatë viteve 2021-2026, Muja tha se në këtë periudhë kohorë ka pasur “më shumë mbështetje, më shumë prodhim, më shumë eksporte”.

Por, njëri nga bujqit i thotë se “me çka po krenohesh Ministër, nuk je gjendje do subvencione me i qit. Shkoi ky vit komplet dështim”.

“Mashtrues ordiner!”, i thotë një tjetër.

Tjetri ia kujton se fermerët kanë nevojë për përkrahje e jo për fjalë. “Ministër i mirë ishe me shkrime e me skica, fermerëve ju duhet përkrahja jo fjalët. Tri ferma janë mbyll 3 muajt e fundit vetëm në Istog, me u pa hap 3 te reja ish krenu njeri se me u mbyll e me ik rinia ne Gjermani ky asht mjerim, leni përrallat e përkrahni fermerët”.

“E kur do hapen grandet për 2026, apo i keni planifiku 2026/27 e me e zhduk një sezon”, e pyet dikush.

Dikush e konsideron si ministrin më të dështuar. “Ministri ma i deshtum i VV qe ka pas naj herë, shumë kem pasë shpresa në ty ama lidhje s’kishe hala subvencionet si ke qit o shok nëse s’ki lidhje me ketë profesion hap krahun, lëshoj rrugën dikujt tjeter”.

“Valla sa për ty ministër ishm mbet pa mjell në 2026, kërkah nuk je me pagesa”, i thotë një tjetër.

Dikush i thotë se vonesat që po ndodhin me subvencionet në kohën e Mujës nuk kanë ndodhur asnjëherë më parë. “Ministër kurrë nuk ka ndodhur vonesa e subvencioneve sikur po ndodh ne mandatin tuaj. Kjo është e pafalshme dhe vërtetë ndikon shume tek puna e fermerëve”.