Personi që po shihet në këtë fotografi është Millosh Todoroviç – me grad kapiten në Ushtrinë e Serbisë.
I njëjti, sipas burimeve që ka parë VOX Kosova, ka shërbyer në misione jashtë vendit të tij për t’u kthyer më pas në Serbi.
Ai, me disa ushtarakë të tjerë serbë, vizituan pa pikë problemi Prishtinën, ku u takuan me zyrtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR.
VOX Kosova, ka kuptuar se Todoroviç dhe ushtarët tjerë serbë që qëndruan në Prishtinë, janë pjesë e këmbësorisë së Ushtrisë së Serbisë.
Të njëjtit, janë të stacionuar në bazën “Tabalje” në afërsi të Novi Pazarit.
Në pamjet që jeni duke parë, ata shihen të uniformuar e armatosur afër zonës së sigurisë tokësore, një brez territori ky në anën e Serbisë, afër kufirit me Kosovën.
Ende s’dihet, sepse ende askush s’po jep përgjigje se si këta ushtarakë serbë u futën në territorin e Republikës së Kosovës.
VOX Kosova ka pyetur KFOR-in, Ministrinë e Jashtme dhe Ministrinë e Brendshme mbi këtë çështje, por asnjëri prej këtyre autoriteteve s’mori mundin të përgjigjej.
PRa Ushtarakët e Serbisë arritën të hyjnë në kryeqytetin e Kosovës, por askush nuk po tregon se kush ua hapi rrugën.
E edhe më shqetësuese se vizita, është heshtja e atyre që duhej ta dinin çdo detaj të saj – e të jepnin llogari publikisht.










