Dhomat e Specializuara të Gjykatës në Hagë kanë lëshuar një reagim sa i përket kushteve në objektin e paraburgimit, pas deklaratave të ish-Komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj, për cilësinë e dobët të ushqimit që servohet atje.
Gjykata Speciale në reagimin e saj thotë se “të gjitha kushtet përmbushin ose tejkalojnë standardet evropiane dhe ndërkombëtare, ndër të cilat Rregullat Standarde Bazë të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve dhe Rregullorja Evropiane e Burgimit”.
Siç thotë DHSK, të paraburgosurve u shërbehen tri shujta në ditë, “me ushqim të shumëllojshëm e të përgatitur mirë në cilësi e sasi të kënaqshme”.
“Sa i përket ushqimit, të paraburgosurve u shërbehen tri shujta në ditë. Ushqimi është i shumëllojshëm, i përgatitur mirë dhe me cilësi dhe sasi të kënaqshme në përputhje me standardet e ushqyeshmërisë. Krahas kësaj, të paraburgosurit që dëshirojnë ta përgatisin vetë ushqimin e tyre mund të përdorin pajisjet dhe mjediset e disponueshme për gatim, si dhe mund të blejnë, me shpenzimet e tyre, artikuj ushqimorë nga një furnizues i jashtëm”, thotë Specialja në reagimin e saj.
Në një intervistë dhënë për RTV21, Isni Kilaj, i cili kishte qëndruar në paraburgim në Hagë si i akuzuar për ndërhyrje në drejtësi, kishte thënë se në Hagë shërbehen “ushqime të ngrira, që kanë qëndruar me muaj ose me vite”.
“I ngrohin në mikrovalë dhe na i sjellin, por edhe për shkak të mëlmesave që përdorin, si dhe faktit që ushqimi ka qëndruar shumë gjatë, ai është i pangrënshëm”, kishte thënë Kilaj.











