Vlora Çitaku, Ushtruese e Detyrës së Kryetares së Partisë Demokratike e Kosovës, ka thënë se ia ka prezantuar Grupit Punues për Apelin në Hagë Ligjin e ri për Gjykatën Speciale, por nuk ka dhënë datë se kur do të procedohet në Kuvend.

“Para dy ditësh kam pranuar draftin e iniciativës së re ligjore për Dhomat e Specializua, të hartuar dhe harmonizuar nga ekspertë juridikë. Dje në mbledhjen e radhës së radhës së Grupit Strategjik ua kam prezantuar këtë draft të gjithë anëtarëve të grupit”, tha Çitaku në një konferencë për media të enjten.

Iniciativa e re ligjore, Çitaku theksoi se do të procedohet në Kuvend “shumë shpejt”, por nuk dha datë konkrete.

Ku u pyet se çfarë nënkupton me këtë “shumë shpejt”, Çitaku përmendi muajin dhjetor.

Ajo potencoi se qëllimi i kësaj iniciative mbetet i pandryshuar: “të garantojmë një proces të drejtës gjyqësor, respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe mekanizma të mirëfilltë të mbikëqyrjes institucionale, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit”.

Në asnjë moment, U.D Kryetarja e PDK-së theksoi se “nuk kemi synuar t'i ikim drejtësisë apo ta pengojmë atë”.

Ajo paralajmëroi se para procedimit të ligjit në Kuvend, do të takohet me drejtuesit e partive politike që janë të përfaqësuara në Kuvend, disa prej të cilëve tha se i ka takuar.

“Dua që së bashku të diskutojmë për peshën e këtij uniteti dhe për përgjegjësinë tonë të përbashkët në këtë betejë shtetërore”.

Çitaku njoftoi edhe se të mërkurën në mbledhjen e Grupit Punues për Apelin që kryesohet nga Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, kanë miratuar strategjinë për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së në Apel. “Kjo strategji është hartuar me kontributin e ekspertëve, institucioneve dhe përfaqësuesve të të gjitha partive parlamentare shqiptare në Kuvendin e Kosovës”.

Ajo theksoi se tashmë kanë një dokument të përbashkët mbi bazën e të cilit, “shteti i Kosovës do të organizojë angazhimin e tij në këtë proces”.

Çitaku tha se uniteti që kanë arritur për mbrojtjen e krerëve të UÇK-së ka peshë historike.

“Më lejoni që sot ta vë theksin te uniteti politik dhe institucional që kemi arritur. Uniteti për mbrojtjen e UÇK-së. Për mbrojtjen e historisë sonë dhe të luftës së popullit tonë për liri. Po e përsërisë, për mua ky unitet ka peshë historike, sepse përtej dallimeve tona politike kemi arritur të ndërtojmë një qëndrim të përbashkët për një çështje e cila i tejkalon interesat e secilës parti”, shtoi.