Deputetët e pushtetit të Vetëvendosjes kanë votuar pro shkarkimit të katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, me rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike, Digjitalizim, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.
Për shkarkimin e Malsore Gashi-Bajraktarit votuan 60 deputetë, asnjë kundër, ndërsa një deputet abstenoi.
Eshref Shabani u shkarkua me 61 vota për, ndërsa për shkarkimin e Arlinda Demit votuan 60 deputetë, me një abstenim. Ndërkaq, Arben Mehmeti u shkarkua me 61 vota për.
Por, kjo nxiti reagimin e deputetëve të opozitës, të cilët po e shohin si përpjekje politike për zëvendësimin e këtyre anëtarëve me emra të tyre.
Deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, tha se anëtarët e këtij institucioni i kanë kryer detyrat e tyre dhe se nisma për shkarkimin e tyre mund të ketë për qëllim zëvendësimin me anëtarë të rinj.
Kritika për këto shkarkime pati edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj. Ai tha se mospajtimet e deputetëve të LVV-së me funksionimin e këtij institucioni nuk mund të shndërrohen në argumente për shkarkimin e anëtarëve të tij.
Edhe deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, kundërshtoi nismën, duke vendosur në foltoren e Kuvendit një skemë në formë trekëndëshi për të shpjeguar raportin ndërmjet Qeverisë, Kuvendit dhe KPMSHCK-së.
Tahiri theksoi se bëhet fjalë për një institucion të pavarur, kompetencat e të cilit përcaktohen me Kushtetutë.
Kuvendi i Kosovës i kishte shkarkuar të njëjtët katër anëtarë, bashkë me një tjetër, në qershor të vitit 2021.
Por, vendimi i Kuvendit ishte shpallur antikushtetues përmes një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese në dhjetor të vitit 2021, duke theksuar se anëtarët e KPMSHCK-së gëzojnë pavarësi në vendimmarrje dhe imunitet funksional nga shkarkimi për vendimet e marra në kuadër të detyrës së tyre kushtetuese dhe ligjore.










