Pasi që u tërhoqën nga versioni i Ligjit për Gjykatën Speciale që e hartuan vetë, Ushtruesja e Detyrës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka thënë se në javën e ardhshme do të vijë iniciativa e re ligjore për Specialen.
Këto komente, Çitaku i ka bërë në një takim të përbashkët të Kryesisë, Grupit Parlamentar dhe kryetarëve të degëve të PDK-së, të premten, pas dakordimit që bëri me Kryeministrin Albin Kurti për Ligj të ri për Specialen, i cili do të hartohet nga Grupi Punues për Apelin në Hagë që kryesohet nga Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.
Në një njoftim për media, PDK ka thënë se Çitaku i njoftoi të pranishmit për zhvillimet e fundit dhe hapat e radhës për mbrojtjen e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u dënuan në shkallë të parë nga Specialja.
Çitaku, që është edhe pjesë e Grupit Punues, ka thënë se javën e ardhshme pritet të prezantohen “frytet e para të punës intensive për mbrojtjen e çlirimtarëve në Hagë – strategjia shtetërore për mbrojtjen në apel dhe iniciativa e re ligjore për Dhomat e Specializuara.
“Sipas dakordimeve të arritura, kjo iniciativë do të mbështetet në tekstin që Kuvendi miratoi në tetor dhe do të përfshijë kontributet e PDK-së, të ekspertëve dhe të grupit punues”, thuhet në njoftim.
U.D Kryetarja e PDK-së ka vlerësuar se uniteti i të gjitha partive parlamentare shqiptare “në mbrojtje të luftës së popullit të Kosovës për liri dhe të çlirimtarëve në Hagë ka peshë historike. Ajo falënderoi të gjithë për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin me të cilin e kanë mbështetur këtë çështje si kauzë kombëtare”.
Ajo ka rikonfirmuar se “mbrojtja e çlirimtarëve në apel është prioritet absolut i PDK-së”.
“PDK do të angazhohet deri në fund që çlirimtarët të kenë mbështetjen e shtetit në çdo nivel, me mobilizimin e të gjitha kapaciteteve institucionale dhe me fonde të mjaftueshme për të ndërmarrë çdo veprim të mundshëm, me një qëllim të vetëm: rrëzimit të aktgjykimit të shkallës së parë dhe fitores së çlirimtarëve në apel”.
Një Ligj për Specialen ishte miratuar në Kuvend më 6 tetor. Por, ai u kthye në Kuvend për rishqyrtim nga Presidentja Justina Shiroka-Pula, pas kërkesës së PDK-së.
Pasi që u shty për disa seanca votimi i tij, nga Kuvendi i Kosovës, Kryeministri Kurti njoftoi se do të hartohet ligji i ri nga Grupi Punues. Të njëjtën më vonë në një konferencë për media e konfirmoi edhe Çitaku.
Ligji për Specialen u iniciua nga PDK-ja pasi që Gjykata Speciale dënoi me 81 vjet burgim ish-krerët e UÇK-së.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burg, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.









