Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka kërkuar Presidentit të Ukraniës, Volodymyr Zelenskyy, që ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Kështu ka thënë Kurti në një opinion që e ka publikuar në median ukrainase “Kyiv Post”, të premten.
Kurti ka thënë se me njohjen e Kosovës nga Ukraina do të sfidohej “blofi i [Presidentit të Federatës Ruse, Vladimir] Putin-it”, i cili e përdor Kosovën për ta justifikuar aneksimin e Krimesë.
“Që Ukraina ta njohë Kosovën do të thotë ta sfidojë bllofin e Putinit. Njohja do ta kundërshtonte pretendimin e Putin-it se Kosova është dëshmi që demokracitë perëndimore nuk e respektojnë ligjin. Ajo do ta refuzonte përpjekjen e tij për t'i shkrirë rastet e ndryshme në një argument të vetëm, të leverdishëm për të”, shkruan Kurti.
Zelenskyy, sipas Kurtit, duhet ta njohë Kosovën jo si “një favor ndaj nesh, por sepse një veprim i tillë do ta forconte pikërisht rendin ndërkombëtar që Ukraina ka kaluar vite duke e mbrojtur: një rend në të cilin historia nuk është leje për pushtim, kufijtë nuk ndryshohen me forcë dhe vendeve të vogla nuk u mohohet e ardhmja nga vendet më të mëdha”.
Kurti ka kritikuar qëndrimin e Zelenskyy-t sa i përket njohjes së Kosovës, duke iu referuar deklaratës së tij në Beograd, në një konferencë të përbashkët për media me ish-Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, ku tha se Ukraina nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës.
“Në gushtin e këtij viti, presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se qëndrimi i Ukrainës ndaj Kosovës, përkatësisht mosnjohja e saj, mbetet i pandryshuar. Ajo që ra në sy ishte fakti se kjo deklaratë u bë në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, një prej aleatëve më të afërt të Rusisë”, tha ndër të tjera Kurti.
Opinioni i plotë i Kurtit:
Në gushtin e këtij viti, presidenti Volodymyr Zelenskyy deklaroi se qëndrimi i Ukrainës ndaj Kosovës, përkatësisht mosnjohja e saj, mbetet i pandryshuar. Ajo që ra në sy ishte fakti se kjo deklaratë u bë në Beograd, kryeqytetin e Serbisë, një prej aleatëve më të afërt të Rusisë.
Kosova, nga ana tjetër, e ka ruajtur edhe qëndrimin e saj ndaj Ukrainës: atë të mbështetjes. Ne e kemi dënuar agresionin e Moskës, jemi rreshtuar me sanksionet e SHBA-së dhe BE-së, kemi strehuar gazetarë ukrainas dhe kemi kontribuar me ndihmë dhe trajnime ushtarake.
Mes Kosovës dhe Ukrainës mund të vihen shumë paralele. Lufta në Ukrainë është lufta e parë e madhe në Evropë që nga ajo në Kosovë. Të dyja vendet përballen me një fqinj që u referohet historive të dyshimta të shumë shekujve më parë për të justifikuar pretendimet e sotme mbi territoret e tyre.
Kosova dhe Ukraina ndajnë gjithashtu një histori të mbështetjes nga bashkësia ndërkombëtare, në momente të ndryshme dhe në rrethana të ndryshme, përmes shfaqjeve të jashtëzakonshme të unitetit ndërkombëtar.
Në një zhvillim të çuditshëm, gjithçka ka marrë një drejtim zigzag. Zelensky është afruar më shumë me Serbinë, një vend që ka refuzuar vazhdimisht ta sanksionojë Rusinë, edhe pasi zgjedhjet parlamentare të tetorit ndryshuan udhëheqjen, ndërkohë që vetë Rusia i është referuar vazhdimisht shembullit të Kosovës.
Në fjalimin e tij pas aneksimit të Krimesë, Putini u kthye një mijë vjet pas në histori për të justifikuar pretendimet e Rusisë. Ai përmendi edhe Kosovën: “Partnerët tanë perëndimorë e krijuan precedentin e Kosovës me duart e tyre – në një situatë shumë të ngjashme, siç e pranuan edhe vetë – dhe më pas bërtitën e vajtuan kur banorët e Krimesë e shfrytëzuan të njëjtën të drejtë”.
Putini nuk shqetësohet për respektimin e së drejtës ndërkombëtare. Përkundrazi, përmendja e Kosovës prej tij është një përpjekje për ta diskredituar Perëndimin. Ai e akuzon Perëndimin se dëshiron ta poshtërojë Rusinë, ndërsa pretendon se pikërisht ai ka krijuar një precedent të paligjshmërisë.
Kosova nuk është e panjohur me reagimet që mund të shkaktojë njohja e saj. Ajo shpalli pavarësinë në vitin 2008, pasi shumica e kufijve evropianë tashmë ishin përcaktuar përmes rendit të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore, shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe shpërbërjes së Jugosllavisë. Sot, më shumë se 120 shtete e kanë njohur Kosovën dhe, që nga fillimi, ajo ka gëzuar mbështetjen e aleatëve kryesorë perëndimorë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Gjermaninë, Italinë dhe Francën.
Gabimi qëndron te trajtimi i të gjitha pretendimeve për vetëvendosje sikur të ishin juridikisht dhe politikisht të këmbyeshme. Ato nuk janë. Njohja e Kosovës nuk krijon një rregull automatik për çdo kontest tjetër territorial.
Çdo rast duhet të gjykohet mbi bazën e historisë së vet, fakteve të veta dhe, ç'është më e rëndësishmja, veprimeve konkrete të vendeve të përfshira.
Pavarësia e Kosovës nuk ishte as e nxituar dhe as e pamatur. Ajo ishte rezultat i një përpjekjeje të gjatë: aparteidit dhe represionit ndaj shqiptarëve etnikë në ish-Jugosllavi, të pasuara nga lufta, spastrimi etnik dhe gjenocidi, pasi Serbia kishte kryer tashmë gjenocid në Bosnjë dhe kishte nisur një fushatë për të bërë të njëjtën gjë në Kosovë. Ky proces përfshiu gjithashtu negociata të gjata, të ndërmjetësuara nga Perëndimi.
Serbia pati mundësi të shumta për të negociuar, si para ndërhyrjes së NATO-s më 1999, ashtu edhe para shpalljes së pavarësisë më 2008. Në pranverën e vitit 1999, të 19 anëtarët e NATO-s u bashkuan në vendimin për të bombarduar një shtet evropian: Jugosllavinë e Millosheviqit. Kjo tregon sa e rëndë ishte situata, veçanërisht kur merret parasysh se sot 19 shtete e kanë të vështirë të pajtohen edhe për një komunikatë të përbashkët për shtyp.
Bisedimet zyrtare shumëvjeçare për statusin përfundimtar të Kosovës nisën në fund të vitit 2005, nën drejtimin e të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Martti Ahtisaari. Në fund, Ahtisaari propozoi pavarësinë e mbikëqyrur, me një nivel të paprecedentë të mbrojtjes për pakicat. Më vonë, në opinionin këshillëdhënës të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë arriti në përfundimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Në shtator të vitit 2012, mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë përfundoi.
Kosova nuk është precedenti i Putinit.
Dhe pikërisht për këtë arsye Kosova ka rëndësi në këtë argument. E drejta ndërkombëtare nuk kërkon që rastet thelbësisht të ndryshme të trajtohen sikur të ishin të njëjta. Njohja e këtyre dallimeve nuk është hipokrizi. Kjo është ajo që duhet të bëjë ligji.
Të njëjtin argument për paligjshmëri e përdor edhe presidenti serb, tashmë i larguar nga pushteti, Vuçiq: se pavarësia e Kosovës e shkel të drejtën ndërkombëtare, edhe kur kjo nuk është e vërtetë. Ekziston një kundërthënie groteske në thirrjen për respektimin e së drejtës ndërkombëtare, ndërkohë që, më shumë se 25 vjet më vonë, familjet në Kosovë ende kërkojnë njerëzit e vrarë gjatë luftës dhe varrezat masive, vendndodhjet e të cilave Serbia refuzon t'i zbulojë.
Këtë verë vizitova Zubin Potokun, një rajon malor në Kosovë, ku në një vendndodhje thellë në pyll po nxirren mbetje mortore. Besohet se aty gjenden civilë të rrëmbyer dhe të zhdukur me forcë gjatë luftës. Në mesin e personave, mbetjet mortore të të cilëve janë identifikuar në atë vend, ka intelektualë, mjekë, profesorë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut, të rrëmbyer më 19 prill 1999. Më shumë se 25 vjet pas luftës, familjet ende kërkojnë mbetjet mortore të civilëve të vrarë.
Ja se çfarë mbetet nga e drejta ndërkombëtare.
Mbi të gjitha, Kosova dhe Ukraina nuk ndajnë vetëm elemente të së kaluarës dhe së tashmes. Ato ndajnë edhe orientimin e tyre drejt së ardhmes. Të dyja duan të anëtarësohen në Bashkimin Evropian dhe NATO. Njohja e Kosovës do ta forconte këtë orientim drejt së ardhmes.
Që Ukraina ta njohë Kosovën do të thotë ta sfidojë bllofin e Putinit. Njohja do ta kundërshtonte pretendimin e Putinit se Kosova është dëshmi që demokracitë perëndimore nuk e respektojnë ligjin. Ajo do ta refuzonte përpjekjen e tij për t'i shkrirë rastet e ndryshme në një argument të vetëm, të leverdishëm për të.
Ndryshimi i një kufiri përmes tankeve të një superfuqie nuk është i njëjtë me përcaktimin e statusit pas një lufte çlirimtare, administrimit ndërkombëtar dhe diplomacisë. Pushtimi nuk është vetëvendosje. Aneksimi nuk është pavarësi. Kutitë e votimit të një referendumi nuk duhet të barten nga ushtarët e një shteti fqinj, siç bënë ushtarët rusë në Krime. Vetëvendosja është e drejta e një populli për të vendosur vetë për të ardhmen e tij, një akt çlirimi në kërkim të barazisë dhe lirisë, demokracisë emancipuese dhe pavarësisë së vërtetë, e jo zgjerim apo shtrirje e një shteti tjetër në funksion të aspiratave të tij hegjemoniste.
Kjo ka rëndësi jo vetëm për Ukrainën, por për çdo vend që ngurron ta njohë Kosovën nga frika se çfarë mund të nënkuptojë kjo për kontestet e veta territoriale.
Presidenti Zelensky duhet ta njohë Kosovën jo si një favor ndaj nesh, por sepse një veprim i tillë do ta forconte pikërisht rendin ndërkombëtar që Ukraina ka kaluar vite duke e mbrojtur: një rend në të cilin historia nuk është leje për pushtim, kufijtë nuk ndryshohen me forcë dhe vendeve të vogla nuk u mohohet e ardhmja nga vendet më të mëdha.
Krimea është Ukrainë.
Dhe Kosova është Kosovë.









