Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga Qeveria që ta publikojë listën rrugë për rrugë, që të kuptohet se sa kilometra rrugë i ka ndërtuar pushteti.

“800 kilometra rrugë të ndërtuara gjatë mandatit. Këtu e sfidoj Qeverinë. Publikojeni listën, rrugë për rrugë, me kilometrat, datën e përfundimit dhe kush e ka financuar secilën. Të shohim sa kilometra i ka ndërtuar Qeveria, sa janë bashkëfinancuar dhe sa i kanë shtruar vetë komunat. Komunat marrin vetëm rreth 21% të buxhetit të përgjithshëm dhe punën që e kanë bërë me buxhetin e tyre, le t’ua njohim atyre. '800 km', Publikojeni listën!”, shkroi Bajrami në Facebook.

“800 kilometra rrugë të ndërtuara gjatë mandatit, ku janë?”, pyet ajo.

Në raportin e ''perlave të Kurtit'', siç e quan ajo, raportin që publikoi Kurti, ku përmblodhi “të arriturat”, ajo theksoi se “rrugët e pakryera paraqitën si kursime, e investimet e planifikuara si suksese”.

“150 milionë euro “kursime” për rrugën Kijevë - Zahaq. Qeveria thotë se i ka kursyer duke i anuluar shpronësimet. Po rruga ku është? Normal se ke kursy për rrugën që nuk e ke kry. Kur të kryhet dil trego sa ka kushtu”.

“200 milionë euro të parapara për hekurudhën Hani i Elezit - Leshak. Në raport shkruan ‘investime të parapara’. Seriozisht, ky është suksesi juaj? Ajo çka ju keni paraparë pas gjatë vitesh në pushtet!”.

Gjendjen e hekurudhave dhe të trenave në Kosovë, thekson ajo, “e dimë të gjithë e edhe sukseset në këtë sektor po ashtu”.

“51,5 milionë euro për 19 kontrata të mirëmbajtjes së rrugëve. Ata që janë sot në rrugë e shohin vetë çfarë mirëmbajtjeje po marrin. Rrugë me borë gjithandej, e në shumë prej tyre s’po shihet kush duke i pastruar”.