Pavarësisht paralajmërimeve të mëhershme, një tjetër ushtar i FSK-së është lënduar nga shpërthimi i municionit brenda armës.

Burimet e VOX Kosova kanë bërë të ditur se sot (e hënë), në Babaj të Bokës, është lënduar rëndë një pjesëtar tjetër i Ushtrisë së Kosovës.

Fillimisht, ai është dërguar për trajtim në Spitalin e Gjakovës, por për shkak të rëndimit të gjendjes shëndetësore, aktualisht po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në Prishtinë.

Sipas informatave që posedon VOX Kosova, si pasojë e shpërthimit të municionit brenda armës, dy copa të gëzhojës i kanë mbetur në kofshë.

VOX Kosova kishte raportuar edhe më herët për këtë problematikë, duke ngritur çështjen se pse po shpërthejnë armët, si janë mbajtur të fshehta këto raste dhe pse incidentet janë trajtuar si raste të izoluara, pavarësisht paralajmërimeve.

EKSKLUZIVE Shpërthimet e armëve në duart e ushtarëve të FSK-së ndodhën disa herë dhe u mbajtën të fshehuraShpërthimi i armës nuk ka ndodhur vetëm një herë. VOX Kosova ka siguruar edhe pamje të tjera, ku në të njëjtën mënyrë i rrezikohet jeta ushtarit të Kosovës.