Ajo çka ndodhi në një nga trajnimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku iu rrezikua jeta një ushtari, nuk është defekt i armës.

Realisht, municioni që i është vendosur asaj arme nuk është i duhuri.

Dhe shpërthimi i tillë i armës nuk ka ndodhur vetëm një herë. VOX Kosova ka siguruar edhe pamje të tjera, ku në të njëjtën mënyrë i rrezikohet jeta ushtarit të Kosovës.

FSK-ja i ka mbajtur të fshehta të gjitha këto raste. Madje, ky amaterizëm ka prekur edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës, pikërisht gjatë një trajnimi të përbashkët me Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Por, pse shpërtheu arma?

Ato që po shihni janë granata. Ndërsa ajo që po përdor ushtari i FSK-së është lansuesi i granatave.

Municioni i përdorur është 40x53mm, ndërsa arma, përkatësisht lansuesi i granatave, është MK19x40mm.

Arma që posedon Ushtria e Kosovës është automatike dhe është prodhuar në Amerikë.

Ndërkaq, municioni është prodhim turk dhe i një cilësie tejet të dobët.

Për më keq, ky municion nuk është i përshtatshëm për armën e prodhuar në SHBA.

VOX Kosova ka siguruar manualin e përdorimit të kësaj arme, të hartuar pikërisht nga Departamenti i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në të, me një paralajmërim të veçantë, thuhet qartë:

“WARNING. Përdoret VETËM municioni i përcaktuar. Përzierja e llojeve të papërshtatshme mund të shkaktojë lëndime”.

Por, në duart e ushtarëve të Kosovës u dha arma amerikane me municion turk.

VOX Kosova ka kuptuar se ky municion është blerë përmes një kontrate të klasifikuar.  Sekrete.

Megjithatë, kemi mësuar se cila është kompania që e ka prodhuar dhe nga e cila shteti i Kosovës e ka blerë, me çmim të prodhuesit amerikan.

Bëhet fjalë për prodhuesin shtetëror të armëve të Turqisë, MKE.

Pikërisht MKE është kompania implementuese e projektit për ndërtimin e Fabrikës së Municioneve në Kosovë. Një projekt që, ndonëse parashihej të prodhonte plumbat e parë në dhjetor të vitit 2026, deri më tani nuk ka as themele objekti.

Dhe bashkëpunimi i Qeverisë së Kosovës me këtë kompani ka qenë i vazhdueshëm. Herë përfaqësuesit e saj vinin në Kosovë, herë zyrtarët kosovarë udhëtonin drejt Turqisë.

Pra, nga ky “modifikim” i bërë nga shteti, tre deri në katër ushtarë kanë mbetur të lënduar. Kush e di edhe sa rastin nuk e dimë ne!

Shtet që ushtarëve nuk u ofron as sigurim shëndetësor e as jetësor.

Ky shtet që, para se ta bëjë armën rrezik për armikun, po e bën atë rrezik për vetë ushtarët që duhet ta përdorin.