Jensen Huang bëri një rikthim triumfues në selinë qendrore të Nvidia-s, në Santa Clara të Kalifornisë, të hënën, më pak se dy javë pasi kishte dhënë dorëheqje nga posti i drejtorit ekzekutiv, pas zbulimeve për afera jashtëmartesore, përfshirë një me një grua të dyshuar si spiune e Kinës.
“Herën e dytë do të jem një CEO më i mirë”, u tha 63-vjeçari punonjësve që e pritën me brohoritje, duke mbushur atriumin dhe ballkonet përreth. Huang ishte i veshur me xhaketën e tij karakteristike prej lëkure të zezë.
Presidenti Amerikan, Donald Trump, i cili luajti rol të rëndësishëm në rikthimin e Huangut, e lavdëroi atë, ndërsa edhe ikona e teknologjisë, Elon Musk, e përshëndeti rikthimin e tij. Aksionet e Nvidia-s u rritën për 31.5 për qind, duke nxitur një rritje më të gjerë në bursën e Wall Street-it.
Rikthimi i shpejtë i Huangut në krye të prodhuesit të çipave, të cilin e bashkëthemeloi më shumë se tri dekada më parë, përbën një histori të jashtëzakonshme rikthimi. Ajo dëshmon ndikimin e tij mbi Uashingtonin, tregjet financiare, industrinë e inteligjencës artificiale dhe gjeopolitikën, shkruan Reuters.
“Për investitorët e teknologjisë, Jensen është më i madh se Elvisi”, tha Eric Schiffer, kryetar i kompanisë së kapitalit privat Patriarch Organization, me seli në Los Anxhelos.
Si një nga figurat kyçe të bumit të inteligjencës artificiale, roli i Huangut shkon përtej atij të drejtorit ekzekutiv të Nvidia-s. Duke ndërtuar marrëdhënie me ligjvënës, partnerë, klientë dhe furnizues në mbarë botën, ai ka financuar zgjerimin masiv të industrisë. Miliarderë si kryetari i Oracle-s, Larry Ellison, dhe Musk janë detyruar t’i “përgjërohen Jensenit për GPU”, siç kishte thënë Ellison në vitin 2024.
I trajtuar si një yll i muzikës rock në Azi, Huang është rrethuar nga fansat në rrugët e Taipeit dhe Seulit, të cilët i kanë kërkuar autografe në libra, postera e madje edhe në trupat e tyre.
Megjithatë, rikthimi i tij dramatik rihap pikëpyetjet për rreziqet që krijohen nga varësia e Nvidia-s ndaj Huangut, si dhe nga miliarda dollarët që kompania ka investuar në startup-e të inteligjencës artificiale, të cilat blejnë çipat e saj, vazhdon shkrimi i Reuters.
Para dorëheqjes, Huang po përballej tashmë me thirrje për të frenuar praktikën e mbështetjes së rritjes së Nvidia-s përmes fluksit të saj të parasë. Shumë analistë në Wall Street kishin paralajmëruar se kjo krijonte një rrjet të rrezikshëm financimi të ndërsjellë. Huang i kishte kundërshtuar këto kritika, duke këmbëngulur se Nvidia po financonte kërkesë reale.
Largimi i tij kishte vënë në pikëpyetje nëse ekosistemi i inteligjencës artificiale dhe kompani si CoreWeave dhe Nebius do të vazhdonin të lulëzonin pa Huangun. Aksionet e tyre u rritën të hënën.
“E shihni se sa shumë një njeri ishte bërë fytyra e kësaj industrie. Ai largohet dhe gjithçka shkon në dreq. Pastaj, papritur, rikthehet dhe gjithçka fillon të rimëkëmbet”, tha Bill Gunderson, partner në GCG Advisory Partners.
Huang është aksionari i pestë më i madh i Nvidia-s, me një pjesëmarrje prej rreth 3.6 për qind, por nuk zotëron aksione me të drejta të veçanta vote, të cilat u japin themeluesve si Mark Zuckerberg i Meta Platforms dhe Musk i SpaceX kontroll efektiv mbi kompanitë e tyre.
Huang njihet për stilin e tij të drejtpërdrejtë të menaxhimit. Ai përfshihet personalisht në zgjidhjen e problemeve në Nvidia dhe mbikëqyr rreth 60 vartës të drejtpërdrejtë, pothuajse të gjithë në pozita inxhinierike, përfshirë ekspertë të çipave të memories, rrjeteve, grafikës dhe procesorëve qendrorë.
“Shumë kompani i kanë organogramet pothuajse të njëjta. Për mua, kjo nuk ka kuptim. Struktura e kompanisë duhet të pasqyrojë mjedisin në të cilin ajo operon”, kishte thënë Huang në një podcast në mars.
Ai është përfshirë thellësisht edhe në punën e startup-eve në të cilat Nvidia ka investuar, duke i ndihmuar ato të sigurojnë klientë. Sipas themeluesve të startup-eve, investitorëve të kapitalit sipërmarrës dhe një ish-punonjësi të Nvidia-s, Huang madje ka marrë pjesë edhe në telefonata për mbledhjen e fondeve, me qëllim tërheqjen e investitorëve.
Ndikimi i Huangut u vu në pah të hënën, pasi Trump deklaroi se kishte luajtur rol kyç në rikthimin e tij, duke dalë në mbrojtje të drejtorit ekzekutiv të përfshirë në skandal.
“Ai nuk ka bërë asgjë të gabuar”, tha Trump të hënën, duke e cilësuar Huangun si “gjeni”.
Rikthimi i Huangut e habiti shumëkënd, ndërsa ligjvënësit amerikanë nga të dyja partitë kundërshtuan fuqishëm rikthimin e tij në detyrë. Megjithatë, ky zhvillim përforcoi edhe idenë se disa drejtorë ekzekutivë të kompanive të teknologjisë konsiderohen të pazëvendësueshëm, gjë që përbën një rrezik të madh për një kompani me rëndësi thelbësore për industrinë e inteligjencës artificiale.
“Kur drejtori ekzekutiv është tepër i fuqishëm për t’u shkarkuar, detyra e bordit nuk është ta shkarkojë atë. Është ta kufizojë ndikimin e tij”, tha Nada Kakabadse, profesoreshë e qeverisjes korporative dhe etikës në Henley Business School në Britani.











