Situata ka eskaluar gjatë seancës së sotme të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Jugut, ku një përplasje verbale mes përfaqësuesve të pushtetit dhe opozitës ka përfunduar në konflikt fizik.

Në përleshje janë përfshirë drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Gazmend Asllani, pjesëtarë të kabinetit të kryetarit Faton Peci dhe asamblistë të Partisë Demokratike të Kosovës.

Fillimisht, tensionet janë shfaqur përmes përplasjeve verbale, ndërsa në një moment dëgjohet asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Berisha, teksa i drejtohet drejtorit të Faton Pecit, Gazmend Asllanit, me fjalët: “Hajde jashtë, hajde”.

Gjatë debatit, kryesuesi i Kuvendit Komunal dëgjohet duke kërkuar qetësi me fjalët: “Kadal o burrë, anëtarë të Kuvendit, çka është kjo gjuhë?”, ndërsa më pas i drejtohet kryetarit të komunës, Faton Peci, duke i kërkuar që ta ndalë drejtorin e tij.

“Ti ndale drejtorin tënd”, dëgjohet duke i thënë kryesuesi Pecit.

Përkundër thirrjeve për qetësim të situatës, përplasja ka vazhduar edhe jashtë sallës së seancës, ku ka ndodhur konfrontimi fizik mes pjesëtarëve të kabinetit të Faton Pecit dhe asamblistëve të opozitës.

Gjatë përleshjes është ndërprerë edhe mikrofoni në sallën e Kuvendit, ndërsa shumica e të pranishmëve janë zhvendosur jashtë, aty ku po zhvillohej konflikti.

Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, ndërkohë shihet duke e përcjellë situatën nga ulësja e tij, me një buzëqeshje në fytyrë, pa u ngritur nga vendi. Pas disa minutash, ai i bën me gisht drejtorit të tij që të ulet dhe të kthehet në vend.