A e dini që Kosova ka një Qeveri që nuk ka ende program, as dy muaj pas zgjedhjes së saj?
Kur më 13 shtator 2026, Albin Kurti u zgjodh Kryeministër për herë të katërt në Kuvendin e Kosovës, për disa minuta paraqiti një përmbledhje të punës që pretendonte se kishin kryer më herët dhe çfarë planifikonin të kryenin në mandatin e ri.
Në atë përmbledhje kishte premtime të përsëritura, projekte që, sipas premtimeve të Kurtit të vitit 2021, do të duhej të ishin kryer. Si për shembull: autostrada e Gjilanit, hekurudhat, Aeroporti i Gjakovës, autostrada për Mitrovicën, Stadiumi Nacional, Opera dhe shumë projekte të tjera.
Por askund - të buxhetuar, arsyetuar, shtypur apo detajuar – qeveria nuk e ka deklaruar programin e saj.
Këtë të mërkurë, më shumë se dy muaj nga zgjedhja, kur prezantoi një raport të punëve të kryera, shumë prej të cilave në fakt as nuk kanë nisur, Kryeministri paralajmëroi se janë duke e përgatitur programin qeverisës.
“Javën e ardhshme do ta kemi gati draftin e programit tonë të ri qeverisës, ku janë bërë bashkë dhe shtjelluar zotimet tona me të cilat fituam përsëri zgjedhjet me votën dhe mbështetjen tuaj”, deklaroi Kurti në një postim të tij në Facebook.

Në këtë raport, të titulluar “Të arriturat 2021–2026”, qeveria prezantoi si suksese Fabrikën e Municioneve, që as nuk i ka themelet, Lojërat Mesdhetare, që në realitet janë në rrezik të anulimit, modernizimin e Bllokut B1 – që nuk është as në funksion, sistemin e baterive, që po ashtu nuk është realizuar.
Përkundër mburrjes me suksese në shumë fusha, Kosova është renditur si vendi i dytë më i varfër në Evropë, pas Moldavisë. Inflacioni është më i larti në Ballkan, me mbi 7%, ndërsa në PISA po ashtu ka rënie negative rekorde.











