Gjykata Themelore në Pejë u ka caktuar një muaj paraburgim katër personave të dyshuar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt që u arrestuan të martën, mes tyre edhe ish-vjehrra dhe ish-kunati i saj.
Siç njoftohet, Gjykata ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e paraburgimit ndaj katër personave, N.S., D.S., M.P. dhe G.B., të dyshuar për vepra penale që lidhen me rastin e vrasjes së rëndë.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, Sami Sharaxhiu, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurve N.S. dhe D.S., për shkak të dyshimit për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale Vrasja e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, pikat 1.3 dhe 1.4, lidhur me nenin 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), ndërsa ndaj të pandehurve M.P. dhe G.B., për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”, nga neni 380, paragrafi 3, i KPRK-së” thuhet në njoftim.
“Masa e paraburgimit ndaj të pandehurve N.S. dhe D.S. llogaritet nga data 24.11.2026, në ora 09:30, deri me datë 24.12.2026, ndërsa ndaj të pandehurve M.P. dhe G.B. nga data 24.11.2026, në ora 10:00, deri me datë 24.12.2026”.
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor nga kunati i saj me sëpatë. Ajo kishte kërkuar mbrojtje nga shteti dhe kishte paralajmëruar se mund të vritej, por shteti nuk e kishte mbrojtur.
Pas këtij rasti, qytetarët kanë protestuar për disa ditë me radhë. Ata kanë kërkuar përgjegjësi institucionale për këtë rast, duke kërkuar edhe dorëheqjen e Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe asaj të Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Por, dorëheqje morale dha vetëm Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.











